Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Rama fton sërish studentët për dialog

Rama fton sërish studentët për dialog
Foto: reporteri.al

Kryeministri Edi Rama ka ripërsëritur thirrjen për dialog me studentët, të cilët prej dy javësh po protestojnë kundër qeverisë. Kërkesa kryesore e tyre vazhdon të jetë dorëheqja e kryeministrit, ndërsa deri tani ata kanë refuzuar të ulen në bisedime me të.

Qëndrimi i Ramës dhe protestat

Nga ana tjetër, Rama ka bërë të ditur se nuk synon të japë dorëheqjen, duke e cilësuar dialogun si të vetmen rrugë për të dalë nga situata e krijuar.

Edhe gjatë ditës së djeshme, protestuesit u mblodhën në mënyrë paqësore pranë Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrisë. Megjithatë, ditët e para të protestave u karakterizuan nga tensione, përplasje mes studentëve dhe policisë, si dhe dëmtime të ndërtesave shtetërore dhe bizneseve private. Në lidhje me këto ngjarje, qindra persona janë shoqëruar në komisariate, ndërsa disa të tjerë janë arrestuar me vendim gjykate.

Paketa e masave të qeverisë

Ndërkohë, qeveria ka paraqitur një paketë me gjashtë masa që synojnë të adresojnë pasojat e akteve të dhunshme gjatë protestave. Masat parashikojnë kompensimin e bizneseve të dëmtuara, vendosjen e përgjegjësisë financiare mbi personat që shkaktojnë dëme, si dhe ndryshime në legjislacionin për tubimet dhe në Kodin Penal.

Sipas propozimeve, gjobat mund të arrijnë deri në 500 mijë lekë për personat që vazhdojnë të qëndrojnë në tubime ku ushtrohet dhunë, edhe pasi policia ka dhënë paralajmërimet përkatëse. Parashikohen gjithashtu masa ndëshkuese për ata që nuk zbatojnë urdhrat e autoriteteve policore.

Një element tjetër i paketës është krijimi i një regjistri elektronik për personat e referuar ose të hetuar për vepra penale që lidhen me shtetin, rendin dhe sigurinë publike. Ndryshimet e propozuara përfshijnë gjithashtu kufizime për organizimin e tubimeve pranë institucioneve të rëndësishme, masa kundër nxitjes së dhunës në rrjetet sociale dhe ndëshkime për personat që fshehin identitetin gjatë protestave të dhunshme.

Burimi: insajderi.org

Të fundit Të gjitha