Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kronikë

Policia refuzon të merret me rastin e Arlinda Zekajt

Policia refuzon të merret me rastin e Arlinda Zekajt
Foto: gazetaexpress.com

Incizimet e transmetuara së fundmi në media kanë zbuluar hollësi të reja për ngjarjet që i paraprinë vrasjes së Arlinda Zekajt.

Biseda mes Zekajt dhe komandantit policor Muçolli

Në një prej incizimeve, e publikuar në emisionin “MAT” dhe e regjistruar nga vetë Zekaj brenda ambienteve të Policisë së Kosovës, dëgjohet një bisedë mes saj dhe komandantit policor, Faruk Muçolli.

Gjatë bisedës, Muçolli dëgjohet duke i thënë Zekajt se nuk e ka për detyrë të merret me të dhe se nuk do ta pranojë më personalisht.

Në fillim të bisedës, Muçolli dëgjohet duke i thënë Zekajt se ia kishte bërë të qartë edhe më parë që nuk e kishte për detyrë të merrej me të.

“Unë të kam thënë edhe atë ditë, unë s’e kam detyrë të merrem me ty”, i thotë Muçolli.

Ai vazhdon duke iu referuar kërkesave të saj për ta takuar.

“Sa herë që po vjen me kërkuar Farukun, po del Faruku”, shprehet ai.

Zekaj, nga ana tjetër, e pyet se kush është përgjegjës për t’iu përgjigjur kërkesave të saj, nëse jo ai.

“Po mirë, tash çka? E kush është i detyruar atëherë, nëse jo ti? Nëse jo ti, tjetër kush duhet me u përgjigj?”, e pyet ajo.

Muçolli i përgjigjet se, nëse konsideron që Policia nuk është duke vepruar siç duhet, ajo ka të drejtë të paraqesë ankesë.

“Në atë moment që ti dyshon që na nuk jemi në rregull, ti ke të drejtë me paraqitë ankesë”, thotë ai.

Në një moment tjetër të bisedës, Zekaj shprehet se është lodhur nga situata, ndërsa Muçolli i përgjigjet se edhe policët janë lodhur.

“Faruk, unë jam lodh”, i thotë Zekaj.

“Edhe na jemi lodh”, ia kthen Muçolli.

Teksa Zekaj kërkon që të zbatohet një vendim, Muçolli këmbëngul se veprimet e Policisë janë në rregull.

“Ju duhet me zbatu atë vendimin tim”, shprehet Zekaj, ndërsa Muçolli i përgjigjet: “Unë e konsideroj që na jemi në rregull”.

Gjatë bisedës, Muçolli i thotë se këtë herë situatën po e vlerësojnë ndryshe.

“Këtë radhë na e lexojmë ndryshe”, thotë ai.

“Lexojeni një milion herë”, ia kthen Zekaj.

Në vazhdim, Muçolli i thotë se Policia e ka për detyrë ta përcjellë deri te dera e shtëpisë.

“Ne e kemi detyrë sot me të dërgu deri te dera e shtëpisë”, shprehet ai.

Por, Zekaj reagon duke ngritur shqetësimin për sigurinë dhe jetën e saj.

“Faruk, të lutem, të lutem! Unë vrana, a s’ka lidhje? Po ju keni me u përgjigj. Apo është shumë e thjeshtë, krejt gratë që janë vra në shpi, a janë përgjigj pasi kanë vdekë?”, dëgjohet duke thënë ajo.

Në një pjesë tjetër të incizimit, Muçolli i thotë Zekajt se kjo është hera e fundit që do ta pranojë personalisht.

“Hera e fundit që të pranoj, se unë ty më nuk do të të pranoj personalisht, më nuk do të të pranoj”, i thotë ai.

Kur Zekaj e pyet përse, ai i përgjigjet:

“S’e kam detyrë me të pranu”.

“E kush e ka detyrë?”, vazhdon ta pyesë Zekaj.

Muçolli i thotë se deri atëherë e kishte pranuar për shkak të një detyrimi moral.

“E kam detyrë morale, për detyrë morale të kam pranuar, se dy herë e tri herë”, shprehet ai.

Zekaj këmbëngul se Policia e Kosovës duhet ta pranojë, ndërsa Muçolli përmend edhe palët e tjera që po prisnin për t’u trajtuar.

“Derisa jam tu u marrë me ty, palët janë tu pritë me rend qaty”, i thotë ai.

Protestat në Prishtinë dhe hetimi i rastit

Vrasja e Arlinda Zekajt, 49-vjeçares nga Peja, ka nxitur protesta në Prishtinë me kërkesë për dorëheqjen e dy ministrave.

Me pankarta si “Gjumi s’ka me iu marrë, flaka ka me iu dalë” dhe “Heshtja mbron dhunuesin, jo viktimën”, protestuesit, të mërkurën, janë mbledhur në sheshin “Zahir Pajaziti”, prej nga kanë marshuar drejt Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Prokurorial, Këshillit Gjyqësor, Policisë dhe Qeverisë së Kosovës.

Ata kanë kërkuar dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe hetimin dhe ndjekjen penale të zyrtarëve që mund të kenë neglizhuar rastin e Arlinda Zekajt.

Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, ndërsa i dyshuari kryesor, Albert Sylaj, ish-kunati i saj, u arrestua të martën, më 27 tetor. Gjykata Themelore në Pejë i ka caktuar atij një muaj paraburgim nën dyshimin për veprën penale “Vrasja e rëndë”.

Rasti ka ngritur pikëpyetje për veprimet e institucioneve, pasi viktima kishte kërkuar mbrojtje dhe kishte paralajmëruar për rrezikun para se të vritej.

Sipas raportit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Arlinda Zekaj kishte urdhër mbrojtjeje që nga 7 shtatori 2026, i cili kishte mbetur në fuqi deri në ditën e vrasjes.

Më 17 shtator, ajo ishte ankuar te kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, duke pretenduar se gjyqtari që merrej me rastin e saj kishte vepruar në kundërshtim me ligjin dhe jashtë afateve ligjore.

Përgjigjja me shkrim e Gjykatës i ishte dërguar më 20 tetor, pesë ditë para se të vritej.

Po ashtu, tri ditë para vrasjes, Zekaj i ishte drejtuar me një letër Prokurorisë në Pejë, duke paralajmëruar për rrezikun që i kanosej.

Pas vrasjes, KGJK-ja urdhëroi inspektimin e dosjes gjyqësore. Në raportin e publikuar më 28 tetor, institucioni konstatoi se Gjykata kishte nxjerrë urdhër mbrojtjeje dhe se vendimet i ishin dërguar Policisë së Kosovës për zbatim.

Megjithatë, raporti nuk sqaron nëse masat e mbrojtjes ishin zbatuar në praktikë.

KGJK-ja bëri të ditur gjithashtu se Albert Sylaj, i dyshuari për vrasjen, nuk figuronte në dosjen e urdhrit të mbrojtjes. Në atë procedurë ishin përfshirë vetëm viktima dhe bashkëshorti i saj, Jeton Sylaj.

Ndërkohë, aktakuza e Prokurorisë ndaj bashkëshortit të viktimës kishte mbërritur në Gjykatë më 26 tetor, një ditë pas vrasjes.

KGJK-ja ka paralajmëruar masa ndaj zyrtarëve për të cilët mund të konstatohet se kanë vepruar në kundërshtim me ligjin.

Pas arrestimit të Albert Sylajt, Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj tij.

Burimi: www.gazetaexpress.com

Të fundit Të gjitha