Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Aktualitet

SHBA – Bolsonaro: Jam lideri i vërtetë i Brazilit

SHBA – Bolsonaro: Jam lideri i vërtetë i Brazilit
Foto: reporteri.al

Flavio Bolsonaro, kandidati i dështuar në zgjedhjet presidenciale të Brazilit, ka tërhequr deklaratën e tij të mëparshme ku e quante veten presidentin e vërtetë të zgjedhur të Brazilit, përmes një letre të hapur drejtuar popullit brazilian.

Ai e publikoi deklaratën në rrjetin social X, pasi ishte larguar fshehurazi nga Brazili, pavarësisht ndalimit të udhëtimit, dhe ishte nisur drejt Majamit, ku mbërriti dje.

Ndryshimi i deklaratës dhe arsyet

Fillimisht, Bolsonaro e kishte cilësuar veten presidentin e vërtetë të zgjedhur, por më pas e zëvendësoi dokumentin me një version ku e quante veten udhëheqësin e Brazilit.

Formulimi i parë mund ta kishte vënë në vështirësi me drejtësinë braziliane.

Në letër, Bolsonaro shkroi se kishte ndodhur një mashtrim i urryer zgjedhor.

Ai pretendoi se fitorja e presidentit në detyrë, Luiz Inácio Lula da Silva, në zgjedhjet e balotazhit të së dielës, ishte arritur vetëm falë një sistemi gjyqësor të korruptuar.

Për këtë arsye, ai deklaroi se do ta drejtonte nga jashtë vendit luftën për demokracinë në shtetin e Amerikës së Jugut. Sipas tij, synimi ishte të pengonte konsolidimin e një regjimi diktatorial nga Lula në Brazil.

Flavio Bolsonaro dhe sfondi familjar

Bolsonaro është senator dhe djali i madh i ish-presidentit Jair Bolsonaro, i cili u dënua me 27 vjet burg për tentativë grushti shteti.

Pamjet televizive treguan Flávio Bolsonaron duke zbritur nga një avion privat në aeroportin e Majemit, së bashku me bashkëshorten Fernanda dhe vajzat e tij, Carolina dhe Luiza.

Departamenti Amerikan i Shtetit kishte deklaruar se do t’i pajiste Bolsonaron dhe familjarët e tij me viza dhe do t’u lejonte hyrjen në vend.

Ndalimi i udhëtimit ndaj Bolsonaros ishte vendosur në kuadër të një hetimi paraprak ndaj politikanit të djathtë, lidhur me një çështje të dyshuar të pastrimit të parave. Bolsonaro mohon çdo shkelje.

Sipas autoriteteve zgjedhore, Bolsonaro humbi balotazhin e së dielës, duke marrë 48,2 për qind të votave, kundrejt 51,8 për qind të fituara nga Lula.

Partia e tij e djathtë e ka njohur fitoren e këtij të fundit. /Ad.Ab./ a.jor.

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha