Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se seanca fillestare për Milan Radoiçiqin dhe 19 të akuzuar të tjerë është caktuar më 21 dhjetor 2026. Ata akuzohen për krime lufte kundër popullsisë civile në Komunën e Gjakovës, konkretisht për vrasjen e 107 civilëve.
Të akuzuarit dhe kërkesa për gjykim në mungesë
Në këtë çështje të akuzuar janë: Milovan Kovaçevic, Radomir Çoliq, Milosh Doshan, Predrag Ristiq, Sërgjan Kërstiq, Ljubisha Obradoviq, Zhivko Sariq, Spaso Sariq, Lazar Drashkoviq, Zvonko Ristiq, Darko Gligorijeviq, Çedomir Bozhoviq, Vladirmir Bozhoviq, Robert Dobruna, Radomir Rakoviq, Ljubisha Rakoviq, Milosh Shqepanoviq, Milan Radoiçiq, Svetislav Gligorijeviq dhe Tomica Avramoviq, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas propozimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, gjykimi do të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, pasi ata kanë qenë të paarritshëm deri në momentin e ngritjes së aktakuzës, njofton Gjykata.
Gjykata u ka bërë thirrje 20 të pandehurve që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të ndjekjes së Republikës së Kosovës.
“Gjithashtu, u bëhet thirrje të gjithë personave që posedojnë informacione relevante lidhur me vendndodhjen e të akuzuarve, që t’i komunikojnë këto informacione Policisë së Kosovës apo organeve tjera kompetente”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, seanca do të mbahet më 21 dhjetor 2026 nga ora 09:30, nga kryetari i trupit gjykues Leon Përlaska.
Aktakuza dhe urdhër-arresti
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 6 gusht 2026 ka ngritur aktakuzë, me propozim për mbajtjen e gjykimit në mungesë, kundër 20 të pandehurve për krime lufte kundër popullsisë civile në Komunën e Gjakovës, konkretisht për vrasjen e 107 civilëve. Në mesin e të akuzuarve është edhe Milan Radoiçiq.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 27 mars 2025 kishte lëshuar urdhër-arrest ndaj Milan Radoiçiqit dhe 19 të pandehurve tjerë për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.
“Betimi për Drejtësi” kishte siguruar urdhër-arrestin, me të cilin urdhërohej shoqërimi i menjëhershëm i të pandehurve: Milovan Kovaçevic, Radomir Çoliq, Milosh Doshan, Predrag Ristiq, Sërgjan Kërstiq, Ljubisha Obradoviq, Zhivko Sariq, Spaso Sariq, Lazar Drashkoviq, Zvonko Ristiq, Darko Gligorijeviq, Çedomir Bozhoviq, Vladirmir Bozhoviq, Robert Dobrunaj, Radomir Rakoviq, Ljubisha Rakoviq, Milosh Shqepanoviq, Milan Radoiçiq, Svetislav Gligorijeviq dhe Tomica Avramoviq.
Sipas aktakuzës, gjatë viteve 1998-1999, M.K., në cilësinë e shefit të Sekretariatit të Punëve të Brendshme (SUP) në Gjakovë, R. Ç., në cilësinë e komandantit të njësive të Policisë së Posaçme (PJP) dhe M.D., në cilësinë e komandantit të Brigadës së 52-të të Artilerisë Raketore, së bashku me të pandehurit P.R., S.K., L.O., Zh.S., S.S., L.D., Z.R., D.G., Ç.B., V.B., R.B., R.R., L.R., M.Sh., M.R., S.G., T.A., në cilësinë e pjesëtarëve të njësive të lartpërmendura, akuzohen për pjesëmarrje në vrasjen e 107 civilëve, gjatë një operacioni të gjerë ushtarako-policor, thuhej në njoftimin e Prokurorisë për ngritje të aktakuzës.
Gjatë këtij operacioni, sipas aktakuzës, të pandehurit fillimisht kanë ndarë gratë dhe fëmijët nga burrat.
“Gratë janë plaçkitur, duke iu marrë stolitë e arit, paratë dhe sendet e tjera me vlerë, ndërsa burrat janë ekzekutuar disa në shtëpitë dhe oborret e tyre, disa në lokacionin e njohur si ‘Ura e Taliqit’. Po ashtu, edhe shtëpitë ishin djegur”, thuhej në njoftim.
Milan Radoiçiq akuzohet edhe për sulmin terrorist në Banjskë, si organizator i grupit.
Burimi: www.gazetaexpress.com










