Disa orë pas kalimit të tij në burgun e Fierit, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka bërë me dije se ndodhet në një ambient të izoluar bashkë me tre vrasës serialë që vuajnë dënimin me burgim të përjetshëm.
Në një letër të hartuar nga qelia e burgut të Fierit dhe e publikuar në rrjetet e tij sociale, Veliaj thekson se ndodhet pa ujë e pa drita, pa asistencë mjekësore dhe pa mundësinë për të telefonuar familjen apo avokatin, ndërsa shton se ka refuzuar të marrë ushqim.
Kushtet e qëndrimit në burgun e Fierit
“Futja në izolim për 10 ditë. Pa ujë e pa dritare. Jo kujdes mjekësor. Refuzim i ushqimit. Asnjë arsye për transferimin, izolimin. Asnjë telefonatë për familjen dhe avokatin. Siguria? Në të njëjtin korridor me 3 vrasës, me burgim të përjetshëm”, shkruan Veliaj në letër.
Në orët e mbrëmjes, kryebashkiaku Veliaj u vizitua në burg nga Avokati i Popullit, Endrit Shabani, dhe avokati i tij, Ndreca, i cili e cilësoi transferimin e tij nga paraburgimi i Durrësit drejt Fierit si të paligjshëm.
Avokati shtoi se Veliaj nuk është ushqyer për shkak të dyshimeve që ka lidhur me mënyrën se si u krye ky transferim.
Transferimi pas komenteve për protestat në Serbi
Erion Veliaj mbahej në burgun e Durrësit që prej shkurtit të vitit 2025, kur u arrestua. Kalimi i tij drejt burgut të Fierit vjen një ditë pasi Veliaj komentoi nga qelia fitoren e lëvizjes studentore në Serbi, duke e quajtur rezultatin si rrëzim të atij që ai vetë e cilësoi “makiavelisti dhe populisti i Beogradit”. Ndërsa protestat e studentëve i konsideroi jo si fundi i botës, por fundi i një bote.
n.s. / dita
Burimi: gazetadita.al










