Avokati Plarent Ndreca ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me pengimin e takimeve me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgimin e burgut të Fierit. Në një shkresë drejtuar drejtuesit të institucionit, Ndreca pohon se për herë të dytë i është refuzuar hyrja në ambientet e burgut për të realizuar një takim me Veliajn. Sipas avokatit, ky veprim përbën shkelje të së drejtës për mbrojtje dhe të ushtrimit të detyrës së tij profesionale.
Letra e Ndrecës drejtuar drejtorit
Letra e Ndrecës:
Drejtor,
Kjo është hera e dytë që përsëritet e njëjta situatë. Edhe sot po më pengohet hyrja në institucion dhe takimi me klientin tim.
Po ju kujtoj edhe një herë se neni 51 i ligjit parashikon në mënyrë të shprehur të drejtën e avokatit për t’u takuar me klientin e tij në çdo kohë.
Pengimi i ushtrimit të detyrës sime si mbrojtës cenon drejtpërdrejt të drejtat kushtetuese të klientit tim dhe sjell përgjegjësi penale për personat përgjegjës, përfshirë veprën e shpërdorimit të detyrës.
Nuk kam ardhur këtu për të përshkallëzuar situatën, për ta bërë publike apo për ta kthyer në çështje penale. Kam ardhur vetëm për të ushtruar detyrën time si avokat. Megjithatë, përsëritja e këtij pengimi po më detyron të ndërmarr veprime ligjore.
Ju kërkoj të ndërhyni menjëherë dhe të garantoni zbatimin e ligjit!
Në të kundërt, do të detyrohem t’i drejtohem oficerit të policisë gjyqësore në shërbim për të paraqitur kallëzim penal për shpërdorim detyre ndaj të gjithë punonjësve përgjegjës për pengimin e ushtrimit të detyrës sime.
Respektimi i ligjit nuk është çështje vullneti apo diskrecioni të punonjësve të institucionit. Është detyrim!
Burimi: kohajone.com










