Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, deklaroi se po i ndjek me vëmendje dhe shqetësim protestat në Tiranë.
“Shqipërinë e duam gjithmonë dhe pavarësisht rrethanave. Ajo është pjesë e pandashme e qenies sonë kombëtare. Prandaj, zhvillimet atje i përcjellim me shqetësim, kujdes, përgjegjësi dhe dashuri. Përparimi demokratik i Shqipërisë është edhe përgjegjësi historike kombëtare. Është e rëndësisë jetike që ne shqiptarët t’ia dëshmojmë vetes se dimë të ndërtojmë demokraci që i qëndron trysnisë së kapitalizmit dhe qeverisje që nuk i përkulen oligarkisë”,
Protestat në Serbi dhe rezultati i faktorit politik shqiptar
Duke folur në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Kurti u ndal edhe tek protestat në Serbi, fitorja e Listës Studentore si dhe suksesi i faktorit politik shqiptar.
“Shqiptarët, ndonëse pakica e katërt kombëtare për nga popullsia në Serbi, u renditën të dytët për nga votat dhe të parët, së bashku me hungarezët, për nga mandatet ndër 9 listat e pakicave kombëtare.
Ky rezultat është fryt i përbashkimit të subjekteve politike shqiptare, të cilat përkundër dallimeve ndërmjet tyre, vendosën interesin e përgjithshëm mbi atë partiak. Për këtë i falënderoj drejtuesit e secilit subjekt politik, kandidatët, aktivistët dhe qytetarët që e bënë të mundur këtë arritje”
Pritshmëritë për dialogun Prishtinë – Beograd
Kryeministri Kurti u shpreh më tej se pret që fituesit e zgjedhjeve në Serbi të lënë pas retorikën nacionaliste dhe të punojnë për një normalizim të mëtejshëm të dialogut Prishtinë – Beograd.
Burimi: lajmifundit.al









