Nga përvoja 25-vjeçare në fushën e optikës, te studimet ndërkombëtare dhe manuali i ri “E vërteta për syzet”. Në një intervistë ekskluzive për Revista Bordo, Romina Lula nga Italoptik shpjegon si duhet të zgjedhim syzet e përshtatshme dhe sa ndikon përdorimi i ekraneve në shëndetin e syve.
Zgjedhja e syzeve
Zgjedhja e një palë syzeve nuk duhet të kufizohet vetëm te pamja e tyre. Përtej modës dhe tendencave të momentit, ka një sërë faktorësh teknikë që ndikojnë drejtpërdrejt në komoditetin dhe cilësinë e shikimit. Pikërisht për të ndihmuar njerëzit të bëjnë zgjedhjen e duhur, Romina Lula nga Italoptik ka sjellë manualin e saj të ri, “E vërteta për syzet”.
Në një intervistë për Revista Bordo, Romina tregon se ideja për këtë manual lindi nga përvoja e përditshme me klientët, të cilët shpesh përballeshin me vështirësi për shkak të zgjedhjeve të gabuara.
“Shumica e klientëve shqiptarë mendojnë se procesi më i rëndësishëm është vetëm zgjedhja estetike e skeletit, por janë shumë faktorë që duhen kombinuar bashkë”, shprehet ajo.
Sipas Romina Lulës, syzet duhet të zgjidhen në bazë të tipareve të fytyrës dhe parametrave teknikë, ndërsa këshillon që njerëzit të mos ndjekin verbërisht modën dhe t’u besojnë laboratorëve optikë me eksperiencë.
Manuali do të jetë i disponueshëm në tri formate: të printuar, PDF dhe audiobook.
Ndikimi i ekraneve në shikim
Gjatë intervistës, Romina ndalet edhe te ndikimi i telefonave dhe pajisjeve dixhitale në shikim. Ajo rekomandon zbatimin e rregullit 20-20-20: çdo 20 minuta duhet të shkëputemi nga ekrani për 20 sekonda dhe të shikojmë në një distancë rreth 6 metra.
“Syri ynë nuk është i ndërtuar që të fokusojë objektet kaq pranë për një kohë të gjatë”, thekson ajo, duke paralajmëruar për problemet që mund të sjellë ekspozimi i zgjatur ndaj ekraneve, veçanërisht tek të rinjtë.
Burimi: bordo.al










