Policia u njoftua për disa persona që po thyenin shishe në lokalin “Priview” në Prishtinë, por ndërhyrja e saj solli një zbulim tjetër. Një person që u përpoq të largohej u ndalua me armë zjarri dhe 15 fishekë, ndërsa gjendja e tij e dehur bëri që marrja në pyetje të shtyhej për më vonë.
Burimet e Sinjali bëjnë me dije se bëhet fjalë për Arbnor Rukovcin, 31 vjeç, i cili u ndalua më 31 tetor, rreth orës 02:00, në rrugën “Ferid Curri” në Prishtinë.
Gjithçka nisi me një telefonatë drejtuar Policisë për një incident brenda lokalit “Priview”, ku raportohej se disa persona po thyenin shishe.
Ndalimi i të dyshuarit
Kur njësia policore mbërriti në vendngjarje, hasi në disa persona, mes tyre edhe Rukovcin, i cili tentoi të largohej.
Megjithatë, përpjekja për t’u larguar përfundoi me ndalimin e tij dhe gjetjen e një arme të shkurtër zjarri, së bashku me 15 fishekë.
Në vendngjarje u angazhuan hetuesit dhe forenzika, të cilët sekuestruan armën dhe ndërmorën veprimet për dokumentimin e rastit.
Një dëshmitar u intervistua, ndërsa marrja në pyetje e të dyshuarit nuk mundi të realizohej menjëherë.
Arsyeja ishte gjendja e tij e dehur.
Masat ligjore dhe hetimi
Pas konsultimit me organet kompetente, u vendos që Rukovci të intervistohej pas kthjellimit, në prani të avokatit mbrojtës.
Ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa rasti po hetohet për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Ende nuk është konfirmuar nëse Rukovci ishte i përfshirë në thyerjen e shisheve, incident për të cilin Policia ishte thirrur fillimisht.
Burimi: insajderi.org









