TIRANË – Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, deklaroi se protesta e kësaj të shtune pati një intensitet më të ulët krahasuar me atë të dy javëve më parë, kur u rrezikua edhe jeta e efektivëve. Ai theksoi se Policia e Shtetit sot u mjaftua vetëm me përdorimin e topave të ujit, pa pasur nevojë të përdorte mjete të tjera për të frenuar turmën agresive.
Policia dhe masat gjatë protestës
Eksperti i ftuar në “Breaking News” shtoi se Policia ka shtuar mjetet e veta për të përballuar me sukses çdo veprim të dhunshëm që mund të vijë nga protestuesit.
“Nuk pati përplasje apo intensitet të sulmeve si ato që pamë dy javë më parë. Kjo kishte intensitet më të ulët. Policia ishte më e vetëpërmbajtur dhe u mjaftua vetëm me topat e ujit. Nga ana e protestuesve pati djegie kosash dhe goditje me llastiqe. Protestuesit duhet të kuptojnë se pas përplasjeve të mëdha të dy javëve më parë, Policia ka sot në dispozicion edhe mjete të tjera të vetëmbrojtjes dhe të shpërndarjes së turmave, si dhe mjete për identifikimin dhe ndjekjen e personave keqbërës”, tha ai.
Rruga e dialogut sipas Karamuços
Sipas Karamuços, grupi i dhunës që shfaqet në çdo protestë duhet ta kuptojë se kjo qasje nuk do t’i çojë askund. Ai vlerësoi se rruga e dialogut është strategjia më e mirë për të gjitha palët, pasi sipas tij dhuna prodhon vetëm dhunë.
“Ka një vetëpërmbajtje edhe nga protestuesit për shkak të masave që ka miratuar shteti shqiptar. Ka një grup brenda protestës. Ata persona duhet të vetëpërjashtohen dhe të zgjedhin një rrugë tjetër. Rruga e dialogut është rruga më e lehtë. Dhuna sjell vetëm dhunë”, tha ai./abcnews.al
Burimi: abcnews.al










