Partia Demokratike organizoi sot një protestë kombëtare në mbështetje të studentëve, por pjesëmarrja në bulevard ishte mjaft e kufizuar. Analisti Martin Leka, i ftuar në emisionin “Tirana Live”, vlerësoi se vetë Sali Berisha duhej të kishte qenë në krye të protestës dhe jo të mungonte, siç ndodhi këtë të shtunë.
Sali Berisha dhe rënia e mbështetjes
Ai theksoi se Sali Berisha e di shumë mirë që mbështetja e tij në elektorat është tkurrur ndjeshëm, krahasuar me atë që kishte në zgjedhjet e 2025. Sipas tij, Berisha dhe Partia Demokratike kanë humbur rreth 200 mijë vota krahasuar me zgjedhjet e fundit.
“Berisha duhet t’i dalë në ballë protestës së vet dhe të mos e përziejë atë me protestën e Arlind Qorit, Shehajt apo Lapajt. Berisha, përveç kompleksit, i di shumë mirë edhe sondazhet se sa mbështetës ka. Edhe në të ashtuquajturën protestë kombëtare u pa se sa pak njerëz ishin aty. Këta njerëz Sali Berisha i ka pasur gjithmonë pas vetes.
Ata që i quan gjoja studentë janë pikërisht militantët e vjetër të PD-së. Kjo ishte thjesht një farsë për të krijuar përshtypjen se studentët janë përkrahës të protestës. Ai ka mbetur në të njëjtin nivel mbështetjeje që kishte dhe ka shkuar gjithmonë në rënie. Berishës i kanë ikur 200 mijë vota nga ato që kishte në zgjedhjet e fundit. Ky është një alarm i madh për të dhe për opozitën në tërësi”, theksoi ai.
Partitë e vogla dhe aktet e dhunshme
Ai theksoi se partitë e vogla janë “sponsorë” kryesorë të protestës në Tiranë dhe fati i saj tashmë dihet.
“Partitë e vogla janë sponsorë të vërtetë të protestës, kjo tregon që protesta është në shuarje, është drejt fundit”, tha ai.
Analisti komentoi edhe aktet e dhunshme të kryera gjatë protestës. Sipas tij, Policia e Shtetit duhet të identifikojë këta elementë keqbërës dhe t’i dërgojë para drejtësisë. Madje, Leka tha se gjyqtarët që i lirojnë personat e kapur duke ushtruar dhunë në protestë duhet të shkarkohen urgjentisht nga detyra.
“Fakti që vetëm pak njerëz, një grusht njerëzish që kryejnë veprimet e dhunshme, ku arma e vetme e tyre janë gurët, mjetet rrethanore, molotovët, llastiqet me sfera qelqi, që në fakt janë armë të ftohta që shkaktojnë dëme të konsiderueshme, jo vetëm ndaj policisë, por edhe ndaj protestuesve. Policia duhet t’i identifikojë dhe t’i arrestojë. Nuk duhen lejuar këta elementë keqbërës. Ata që lirojnë keqbërësit duhet të shkarkohen urgjentisht”, tha ai.
Burimi: abcnews.al









