TIRANË- Protesta dështoi si në numra ashtu edhe në qëllim, ndërsa në fund nuk arriti të provokojë policinë. Forcat e uniformave blu identifikuan menjëherë pesë persona të maskuar, të cilët së shpejti do të përballen me gjobën që do t’u dërgohet përmes e-Albania. Gjithashtu, u identifikua edhe një i mitur që ushtroi dhunë, dhe policia njofton se gjoba i është dërguar prindërve të tij. Deri tani nuk ka të lënduar në spitale apo ambulanca.
Avokati Edmond Petraj për protestën
Avokati Edmond Petraj, i ftuar në emisionin “Breaking News”, deklaroi se protesta e sotme tregoi se partitë e vogla kanë zënë terrenin e Partisë Demokratike. Ai theksoi se organizatorët e dhunës duhet të mbajnë përgjegjësi. Sipas avokatit, janë identifikuar disa grupe në WhatsApp App që, sipas tij, nxisnin dhunë gjatë protestës në bulevard.
“Shteti qëndron në këmbë falë ligjeve. Kush i shkel këto ligje ndëshkohet. Sipas mendimit tim, dënimi duhet të ishte më i lartë. Unë jam për protesta dhe lëvizje popullore paqësore. Duket se partitë e vogla kanë zënë terrenin e Partisë Demokratike.
Të gjithë organizatorët, kushdo që është marrë me raste dhune, duhet të mbajë përgjegjësi një për një, duke filluar që nga Sali Berisha. Tirana është e të gjithëve. Ky kaos nuk mund të krijohet në vitin 2026. Ky është kaos. Janë kapur grupe komunikimi në WhatsApp që nisin dhunë.
Këta protestues të paktë nuk mund ta mbajnë peng Shqipërinë. Sot pashë funeralin e kësaj opozite. Kjo tregon se këta nuk mund të vijnë në pushtet nëse nuk kanë program, nëse nuk kanë një ndarje të qartë mes të mirës dhe të keqes. Sot ishte protesta e madhështorëve. Për mua, PD nuk arriti të nxirrte njerëz. Në rrugën e Durrësit ishte Arlind Qorri dhe tetë marksistë”, tha ai./abcnews.al
Burimi: abcnews.al








