Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Bota

Franca në kaos, 320 mijë protestues në rrugët e vendit

Franca në kaos, 320 mijë protestues në rrugët e vendit
Foto: reporteri.al

PARIS, 31 tetor /ATSH – ANSA/ – Tensionet u përshkallëzuan në Paris në fund të protestës së tretë të mobilizimit social në Francë, e cila deri në momentet e fundit ishte zhvilluar në mënyrë paqësore.

Përplasjet në Paris

Grupe personash të dhunshëm hodhën fishekzjarrë në drejtim të policisë, si dhe dëmtuan stacionet e autobusëve dhe stolat në hapësirat publike.

Forcat e rendit ndërhynë për shpërndarjen e tyre, duke u përballur me grupe të rinjsh të veshur me të zeza në zonën e Porte de Charenton.

Sipas të dhënave të prefekturës, protesta në kryeqytetin francez mblodhi rreth 70 mijë pjesëmarrës.

Shifra është ndjeshëm më e ulët krahasuar me javën e kaluar, kur në Paris u regjistruan rreth 110 mijë protestues.

Pjesëmarrja në të gjithë vendin dhe tensionet në qytete të tjera

Ndërkohë, sipas Ministrisë së Brendshme franceze, në të gjithë vendin dolën në rrugë rreth 320 mijë persona, kundrejt 410 mijë një javë më parë dhe 550 mijë më 17 tetor.

Tensione u raportuan edhe në qytetet e Tuluzës, Marsejës dhe Renës.

Në Marsejë, ku protesta nuk ishte njoftuar paraprakisht, policia përdori autobotë me ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Lideri politik Jean-Luc Mélenchon, i cili mori pjesë në marshimin në Paris, deklaroi se kërkesat e protestuesve janë një e drejtë, duke theksuar gjithashtu rëndësinë e zhvillimit të demonstratave në kushte sigurie.

“Ne do të fitojmë”, shkroi Mélenchon në një mesazh gjatë protestës. /os/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha