Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kronikë

Organizatat kundër torturës dënojnë brutalitetin policor në protesta

Organizatat kundër torturës dënojnë brutalitetin policor në protesta
Foto: reporter.al

Konsorciumi ndërkombëtar “Të bashkuar kundër Torturës” (UATC) dhe Qendra Shqiptare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe Traumës (ARCT) shprehën të premten, përmes një deklarate të përbashkët, shqetësimin për akuzat e rënda dhe të përsëritura për përdorim të tepruar të forcës dhe privim arbitrar të lirisë nga Policia e Shtetit ndaj protestuesve në Shqipëri.

“Shprehim shqetësimin lidhur me brutalitetin policor dhe përdorimin e tepruar të forcës për të heshtur protestuesit, si dhe për keqtrajtimin e tyre gjatë transportimit dhe vendosjes në ambientet e paraburgimit,” thuhet në deklaratën ku dokumentohen një sërë incidentesh.

Konsorciumi “Të Bashkuar kundër Torturës” është një koalicion global me partnerë në 120 vende të botës kundër akteve të torturës, i financuar nga Bashkimi Europian, ndërsa Qendra Shqiptare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe Traumës është një organizatë jofitimprurëse që vepron në Shqipëri prej mesit të viteve ’90.

Dëshmitë e mbledhura nga ARCT

ARCT thotë se ka marrë më shumë se 100 kërkesa për ndihmë mjekësore dhe ligjore dhe ka mbledhur dëshmi nga më shumë se 75 persona pjesëmarrës në protesta. Në deklaratë konstatohet se të paktën 320 persona janë plagosur gjatë demonstratave deri më 24 tetor dhe veçohet rasti kur një 19-vjeçar pësoi frakturë në këmbë gjatë ndërhyrjes së policisë më 13 tetor.

Shqetësim i veçantë ngrihet edhe për përdorimin e plumbave prej gome, ku një prej protestuesve të plagosur ka pësuar dëmtim serioz në sy, që sipas organizatave mbetet ende për t’u përcaktuar shkalla e dëmit.

Në deklaratë përmenden edhe përdorimi i shkopinjve të gomës, mburojave, gazit lotsjellës dhe ujit me presion nga forcat e rendit ndaj protestuesve.

Përveç dhunës fizike, deri më datë 24 tetor raportohen edhe 20 raste të gjuhës së urrejtjes nga punonjës të policisë gjatë protestave, ndërkohë që më shumë se 32 persona që janë mbajtur në Komisariatet nr. 1 dhe nr. 3 në Tiranë kanë raportuar dhunë fizike dhe mungesë ushqimi për më shumë se 14 orë.

Trajtimi i të miturve dhe kushtet e ndalimit

Një nga aspektet më serioze të deklaratës lidhet me arrestimin dhe trajtimin e të miturve. Sipas të dhënave të mbledhura nga organizatat, më shumë se 50 persona janë arrestuar, mes tyre 18 fëmijë, pa një masë sigurimi të caktuar nga gjykata. Sipas deklaratës, një pjesë e personave të arrestuar janë mbajtur në ambientet e policisë përtej afatit ligjor prej pesë orësh, përpara kontrollit gjyqësor.

Po ashtu, konstatohet se pesë nga tetë fëmijë të ndaluar në Komisariatin nr. 1 kanë deklaruar se janë përballur me dhunë fizike dhe verbale. Monitoruesit kanë konstatuar dëmtime fizike të dy prej tyre. Sipas raportimit, prindërit dhe psikologët nuk janë kontaktuar, ndërsa gjashtë fëmijë janë regjistruar në regjistrin e personave madhorë.

Organizatat e cilësojnë këtë situatë veçanërisht shqetësuese, duke iu referuar nenit 37 të Konventës së OKB-së për të Drejtat e Fëmijës, ku përcaktohet se privimi i një fëmije nga liria duhet të jetë si masë e fundit dhe për periudhën më të shkurtër të përshtatshme.

Kushtet e mbajtjes së protestuesve në ambientet e paraburgimit janë gjithashtu një nga problemet e hasura, ku 118 persona janë mbajtur në Bllokun e Sigurisë, një strukturë me kapacitet normal prej 67 personash. Për shkak të mbipopullimit, personat janë detyruar të flenë në dysheme.

“Nëse këto pretendime vërtetohen, veprimet e përshkruara mund të përbëjnë torturë ose trajtime të tjera çnjerëzore dhe poshtëruese, sipas neneve 1 dhe 16 të Konventës së OKB-së kundër Torturës (UNCAT), si dhe privim arbitrar nga liria, në kundërshtim me nenin 9 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike”, citohet në deklaratë.

ARCT pretendon se vëzhguesit e saj janë përballur me pengesa gjatë monitorimit të protestave dhe të situatës së personave në ambientet e ndalimit, kryesisht për shkak të presionit nga institucionet shtetërore.

Shqetësimet e ngritura nga UATC dhe ARCT nuk paraqiten si një problem i ri. Në deklaratë sillet në vëmendje se në tetor të vitit 2025 i kishin dorëzuar Komitetit të OKB-së kundër Torturës një raport alternativ në kuadër të shqyrtimit të tretë periodik të Shqipërisë. Në atë dokument evidentoheshin raste të rrahjes dhe goditjes së protestuesve nga policia, ku 34 persona ishin shtruar në spital që prej vitit 2024.

“Më pak se një vit pas këtij shqyrtimi, situata e dokumentuar nga ARCT sugjeron se shqetësimet e ngritura nga Komiteti janë përshkallëzuar,” thuhet në deklaratë.

Kërkesat drejtuar autoriteteve

Organizatat i kërkojnë autoriteteve shqiptare të ndalojnë menjëherë çdo formë torture dhe keqtrajtimi, të hetojnë në mënyrë të pavarur dhe të paanshme të gjitha pretendimet për dhunë policore dhe ndalim të paligjshëm, si dhe të pezullojnë gjatë hetimit efektivët e dyshuar për përfshirje në këto raste.

Kërkohet gjithashtu garantimi i aksesit të personave të ndaluar te avokati dhe mjeku, njoftimi i familjarëve, regjistrimi i rregullt i ndalimit dhe paraqitja pa vonesë përpara gjykatës. Për fëmijët kërkohet rishikimi urgjent i ligjshmërisë së ndalimit dhe lirimi i atyre për të cilët nuk është respektuar afati ligjor i vleftësimit gjyqësor.

Në fund, deklarata kërkon dëmshpërblim dhe rehabilitim për të gjitha viktimat, në përputhje me nenin 14 të Konventës kundër Torturës.

Organizatat u bëjnë thirrje gjithashtu Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës, OSBE-së dhe mekanizmave të OKB-së, përfshirë Raportuesin e Posaçëm për Torturën, të ndjekin nga afër situatën në Shqipëri dhe t’i adresojnë shqetësimet pranë autoriteteve shqiptare.

 

Burimi: www.reporter.al

Të fundit Të gjitha