Refuzimi i licencës së trajnerit
Kur dukej se më në fund po shihej drita në fund të tunelit, fati i ktheu sërish shpinën Clarence Seedorf. Sipas lajmit të publikuar fillimisht nga UOL dhe të konfirmuar nga gazeta spanjolle AS, CONMEBOL refuzoi njohjen e licencës së tij si trajner, duke arsyetuar se ai nuk plotësonte kërkesat e nevojshme për ushtrimin e kësaj detyre.
Federata Braziliane e Futbollit (CBF) ka caktuar një mbledhje urgjente për të martën, ku do të vendoset për të ardhmen e trajnerit. Corinthians synon të paraqesë një kërkesë të dytë për rishqyrtimin e vendimit, me qëllim që trajneri të marrë drejtimin e skuadrës.
Situata e Seedorf në Brazil është njëkohësisht e ndërlikuar dhe delikate. Disa javë më parë, Corinthians i kërkoi institucionit më të lartë të futbollit në Amerikën Latine njohjen e licencës së trajnerit për Seedorf. Holandezi zotëron licencën UEFA PRO, shkallën më të lartë në Evropë, e cila vlen për të punuar si me klubet e Ligës së Kampionëve ashtu edhe me kombëtaret. Megjithatë, për të ushtruar detyrën në anën tjetër të Atlantikut, nevojitet miratimi i CONMEBOL. Për këtë miratim, trajneri duhet të ketë të paktën 3 vjet përvojë, kriter që Seedorf nuk e plotëson.
Në karrierën e Seedorf përfshihen klube si Milan në Itali, Shenzhen FC në Kinë, Deportivo La Coruna në Spanjë dhe kombëtarja e Kamerunit. Sipas Transfermarkt, ai ka gjithsej 2 vjet e 2 muaj përvojë si trajner, gjë që është larg kriterit të kërkuar nga organi drejtues i futbollit në Amerikën Latine. Konfederata Braziliane e Futbollit e mori vendimin të premten, por Corinthians u njoftua vetëm të hënën, për shkak të festës së Ditës së të Vdekurve.
Pasojat për Corinthians
Burime nga Brazili i thanë gazetës AS se Corinthians nuk do të marrë asnjë sanksion ekonomik nëse vazhdon ta mbajë Seedorf në pankinë. Kjo do të thotë se, deri në një vendim përfundimtar, ai mund të ushtrojë funksionet e tij kontraktuale, por mësohet se nuk është i lirë të ushtrojë në mënyrë të pavarur çështjet administrative.
E gjithë kjo ndodh në momentin më delikat të sezonit. Me ardhjen e Seedorf, Corinthians ka filluar të marrë rezultate pozitive, me 1 fitore dhe 1 barazim në 3 ndeshjet e fundit. Holandezi ishte një emërim befasues nga klubi, që po përpiqet të shmangë rënien nga kategoria. Tani çështja kryesore është nëse ai do të jetë i disponueshëm për ndeshjen derbi ndaj Sao Paulos, që do të luhet të mërkurën.
Burimi: top-channel.tv










