Nga Eduard Zaloshnja
Fischer e ka cilësuar Zogun si arkitektin e shtetit modern shqiptar
Këtë vit kam drejtuar dy sondazhe rigoroze në terren (të financuara nga fondacione gjermane), njëri në gjithë vendin dhe tjetri në Tiranën urbane. Në të dyja, për pyetjen “Cilin vlerësoni më shumë nga gjashtë liderët kryesorë të shtetit shqiptar të shekullit të fundit?”, rreth 2 në 10 të anketuarit u përgjigjën “Ahmet Zogun”.
Asnjë nga të anketuarit nuk kishte lindur para largimit të Ahmet Zogut nga Shqipëria, por sidoqoftë, rreth 2 në 10 e vlerësonin pikërisht atë më shumë se pesë pasardhësit e tij më të rëndësishëm. Meqë shumica dërrmuese e këtyre 2 në 10 u vetëdeklaruan ideologjikisht si të djathtë, mund të hamendësohet se jo pak prej tyre e zgjodhën Zogun si opsionin e preferuar në skenën historike thjesht për të mos zgjedhur ish-komunistin Berisha, që pretendon se është i djathtë.
Një periudhë e njohur nga studiuesit
Ndërkaq, nuk janë të paktë shqiptarët që njohin mirë dy dekadat kur Ahmet Zogu mbizotëroi skenën politike të Shqipërisë.
Le ta fillojmë shtjellimin e kësaj teze me studimin e botuar në shqip të historianit amerikan Bernd J. Fischer, një nga studiuesit më të njohur ndërkombëtarë të historisë së afërt shqiptare. Ai ka kryer kërkime të thella shkencore mbi periudhën mes dy luftërave botërore, dhe mbi Ahmet Zogun në veçanti.
Vepra e tij “Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri” është një nga studimet më të thelluara mbi strukturën politike, përpjekjet për shtetformim dhe sfidat me të cilat u përball Ahmet Zogu, bazuar në dokumente arkivore. Fischer ka evidentuar se rruga e Zogut drejt majave të pushtetit u përball me sfida të mëdha, duke numëruar rreth 600 hasmëri dhe të paktën katër tentativa direkte për ta vrarë.
Fischer argumenton se Zogu ishte një nacionalist që i bëri rezistencë diplomatike manovrave dhe ultimatumeve të Musolinit deri më 7 prill 1939. Ai e cilëson Zogun arkitektin kryesor që ngriti themelet e një administrate dhe të një shteti modern shqiptar, duke e nisur qeverisjen e tij nga një gjendje tejet e vështirë e vendit.
Nuk mund të dihet se sa shqiptarë e kanë lexuar veprën e Fischerit, por ndoshta janë të shumtë ata që kanë dëgjuar për të nga lexuesit e saj, ndërkohë që të tjerë mund të kenë lexuar nga burime të tjera mbi kohën e Zogut, apo mund të kenë dëgjuar nga prindërit dhe gjyshërit rreth asaj kohe.
Si lexues kurioz i historisë (pa qenë ekspert), e kam lexuar me vëmendje librin e sipërcituar të Fischerit, si edhe shumë libra të tjerë mbi historinë e shqiptarëve, të botuar brenda dhe jashtë vendit. Më poshtë po jap arsyet pse kam të njëjtin mendim me 2 në 10 banorët e rritur të vendit: se Ahmet Zogu ka qenë lideri më gjurmëlënës shqiptar i shekullit të fundit, pavarësisht dritë-hijeve të tij.
Shqipëria para dhe pas Zogut
Më 1920, Zogu 24-vjeçar, me rreth 3000 matjanë, siguroi mbrojtjen e qeverisë së re të Kongresit të Lushnjes dhe udhëhoqi Luftën e Vlorës për dëbimin e italianëve prej andej.
Në 2500 vjetët para atij viti, vetëm Gjergj Kastriot Skënderbeu ishte regjistruar si lider me peshë vërtet domethënëse në historinë e trojeve shqiptare. Si ushtaraku i parë që aplikoi me efikasitet luftën guerile, Skënderbeu është vlerësuar nga historianët si një halë në sy për perandorinë më të fuqishme të kohës së vet.
Sidoqoftë, ai nuk krijoi dot një shtet dhe administratë të mirëfilltë në trojet shqiptare. Edhe Besëlidhja e Lezhës që ai themeloi ishte kryesisht një aleancë ushtarake, me nuanca të lehta shtetërore-administrative. Për më tepër, shpejt u larguan prej saj prijës të fuqishëm si Lek Dukagjini, Gjergj Arianiti, Pjetër Spani dhe Gjergj Dushmani.
Domethënës është fakti që i vetmi dokument shqip i mbetur nga koha e Skënderbeut është formula e shkurtër e pagëzimit nga Pal Engjëlli (Unte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit).
Para kohës së Skënderbeut, historianët e antikitetit përmendin mbretërit ilirë Bardhyl, Agron dhe Teutë, por më tepër si prijës fisesh, sesa si qeverisës me struktura të mirëfillta shtetërore. Nga qeverisja e tyre nuk ka mbetur asnjë dokument i shkruar, vetëm aty-këtu ndonjë mbishkrim në pllaka varresh.
Pas kohës së Skënderbeut, emri i Ali Pashë Tepelenës është regjistruar qartazi në histori, por ai përmendet si një pashë rebel që mobilizoi shqiptarët dhe grekët e pashallëkut të tij kundër Portës së Lartë, pa arritur të krijonte një shtet të mirëfilltë.
Periudha e trazuar 1912-1920 regjistroi emra që qeverisën shumë pak për ta formësuar shtetin e sapolindur shqiptar: 14 muaj Ismail Qemali, 6 muaj Princ Vidi, 15 muaj Esat Pashë Toptani dhe 13 muaj Turhan Pashë Përmeti.
Dhe vijmë te janari i vitit 1920.
Pasi Presidenti Uillson e ndaloi copëtimin e shtetit shqiptar në Konferencën e Paqes së Parisit, burrat më patriotë të vendit u mblodhën në Kongresin e Lushnjes për të shpallur qeverinë e re të Shqipërisë brenda kufijve të njohur nga Konferenca e Londrës të 1913-ës. Por ata kishin vetëm fjalë, pushkët i kishte 24-vjeçari Zogu me 3000 pasuesit e tij matjanë. Ai, si Ministër i Brendshëm i qeverisë së re, siguroi instalimin e saj në kryeqytetin e përkohshëm Tiranë, dhe pastaj udhëhoqi luftën për dëbimin e italianëve nga Vlora.
Nga ajo kohë deri kur u largua nga vendi, Ahmet Zogu ishte njeriu më i pushtetshëm në Shqipëri, pavarësisht postit të tij zyrtar (Ministër i Brendshëm, Kryeministër, President i Republikës, Mbret).
Në fillimet e pushtetit, Zogu u mundua ta lidhte strategjikisht Shqipërinë me Britaninë e Madhe, për të shmangur ndikimin e fqinjëve tanë tokësorë, por fati deshi që nafta shqiptare të ishte me përmbajtje të lartë squfuri, duke e ulur kështu interesin britanik për të investuar në vend. Më pas u mundua, por pa sukses, të merrte financime nga Lidhja e Kombeve, gjithnjë për të shmangur ndikimin e fqinjëve tanë tokësorë. Si alternativë të fundit, ai pranoi financime nga Italia fashiste, që eventualisht e përzuri nga pushteti.
Duke i përmbledhur në një paragraf dy dekadat e pushtetit të Zogut, mund të thuhet se ai gjeti një vend në anarki të plotë, me ekonomi dhe administratë fare të prapambetura, dhe me popullsi 99% analfabete. Kur ai u largua nga pushteti, shteti dhe administrata ishin ndërtuar sipas modeleve franceze dhe italiane, sistemi arsimor ishte shtrirë në qytete dhe shumë fshatra, infrastruktura dhe industria e lehtë kishin hedhur hapat e parë të zhvillimit, pasaportën shqiptare mund ta përdorje për të udhëtuar lirshëm në Evropë, dhe mbi të gjitha, orientimi i përgjithshëm i shoqërisë ishte properëndimor.
Që nga Fan Noli, kundërshtari më i fortë politik i Zogut, e deri në ditët e sotme, të panumërt kanë qenë kritikët e tij të ashpër. Por historia botërore nuk njeh ndonjë qeverisës që të mos ketë patur kundërshtarë dhe kritikë të ashpër. “Sundimtari ideal” i Platonit ka mbetur thjesht një ëndërr e parealizuar prej 2500 vjetësh.
Në kontekst historik, një qeverisës vlerësohet nga trajektorja që përshkon vendi gjatë qeverisjes së tij. Në rastin e Zogut, mijëra shqiptarë (përfshirë edhe mua) mendojnë sot se, gjatë qeverisjes së tij, Shqipëria regjistroi trajektoren më të madhe ngjitëse, nga niveli zero, në një vend me administratë dhe qeverisje funksionale.
SHËNIM: Ndërsa rreth 2 në 10 shqiptarë e vlerësojnë më shumë Ahmet Zogun, rreth 2 në 10 vlerësojnë më shumë “të djathtin” Berisha. Në krahun tjetër ideologjik, Ramën e vlerësojnë rreth 3 në 10 shqiptarë, Nanon rreth 2 në 10, dhe rreth 1 në 10 vlerësojnë më shumë Enver Hoxhën dhe Ramiz Alinë.
Burimi: tirananews.al










