Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Showbiz

Nicolas Cage rrezikon humbjen e vilës së tij 10 milionë dollarëshe

Nicolas Cage rrezikon humbjen e vilës së tij 10 milionë dollarëshe
Foto: bordo.al

Nicolas Cage është detyruar të largohet përkohësisht nga vila e tij në Malibu, pasi një shembje masive e tokës në afërsi të pronës ka krijuar një situatë të rrezikshme. Aktori i njohur i Hollywood-it po qëndron në hotele, ndërsa banesa e tij, e vlerësuar rreth 10 milionë dollarë, është kthyer në një zonë të pasigurt.

62-vjeçari ka folur për situatën e pazakontë gjatë një aktiviteti në “LA Comic Con”. I pyetur se si do ta kalonte Halloween-in, aktori zbuloi se planet e tij festive ishin vënë në pikëpyetje për shkak të problemeve me banesën.

“Për momentin jam disi pa shtëpi. Diçka ka ndodhur me shtëpinë time në Malibu, kështu që po qëndroj në hotele. Nuk mund ta shijoj Halloween-in siç do të doja, duke pritur fëmijët që vijnë për të kërkuar ëmbëlsira”, tregoi Cage.

Gropa gjigante dhe rreziku për banorët

Problemi lidhet me një gropë gjigante të krijuar në afërsi të vilës, konkretisht në zonën e rrugës që të çon drejt garazhit. Sipas mediave amerikane, shembja mund të jetë shkaktuar nga erozioni bregdetar, ndërsa përmasat e saj janë vlerësuar në rreth 30 metra gjatësi dhe 30 metra gjerësi.

Rreziku nuk kufizohet vetëm te prona e aktorit. Autoritetet lokale në Malibu kanë shpallur të pasigurta plot 31 banesa në këtë zonë. Në një komunikim zyrtar, bashkia ka bërë të ditur se dëmtimi i rrugës pranë bregdetit ka ndërprerë qarkullimin dhe ka vështirësuar aksesin e banorëve, por edhe të shërbimeve të emergjencës, përfshirë policinë dhe zjarrfikësit.

Cage e kishte blerë vilën në vitin 2024. Prona luksoze ndodhet buzë oqeanit dhe karakterizohet nga pamje panoramike, si dhe një tarracë private në çati. Megjithatë, për momentin, aktori nuk mund të shijojë asnjë prej këtyre privilegjeve.

Koleksioni i pasurive dhe blerjet e pazakonta

Pasuria e paluajtshme e Nicolas Cage ka qenë prej vitesh një temë më vete. Gjatë karrierës së tij, aktori ka zotëruar deri në 15 prona të ndryshme, duke përfshirë rezidenca luksoze në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë.

Mes tyre spikaste një vilë madhështore buzë ujit në Newport Beach, e vlerësuar rreth 19 milionë paund, si dhe një rezidencë në New Orleans, të cilën Cage e kishte përshkruar si “shtëpia më e përhumbur në Amerikë”.

Koleksionit të tij të pasurive i janë shtuar edhe dy kështjella evropiane. Njëra prej tyre ishte Midford Castle në Somerset, e blerë për rreth 7.6 milionë paund, ndërsa tjetra një pronë luksoze në qytetin historik të Bath, me vlerë afërsisht 4 milionë paund.

Në fillim të viteve 2000, pasuria e aktorit përllogaritej në rreth 150 milionë paund. Përveç pronave të shtrenjta, Cage është bërë i njohur edhe për blerjet e tij të pazakonta dhe pasionin për koleksionet ekskluzive.

Ai thuhet se ka shpenzuar rreth 230 mijë paund për të blerë një oktapod si kafshë shtëpiake, ndërsa mbi 100 mijë paund për një kopje shumë të rrallë të revistës komike ku Superman shfaqej për herë të parë.

Kjo kopje u vodh nga banesa e tij, por u gjet sërish pas disa vitesh dhe përfundoi në ankand, ku u shit për më shumë se 1.6 milionë paund. Një tjetër investim i pazakontë ishte blerja e një ishulli privat në Bahamas, për të cilin aktori raportohet se pagoi rreth 2.3 milionë paund.

Një problem që as pasuria nuk e zgjidh

Kësaj here, megjithatë, as pasuria dhe as luksi nuk mund ta shmangin problemin me të cilin po përballet ylli i Hollywood-it. Një fenomen natyror ka bërë që Nicolas Cage të braktisë përkohësisht rezidencën e tij milionëshe dhe të gjejë strehim në hotele, ndërsa situata në zonën bregdetare të Malibu mbetet shqetësuese.

Burimi: bordo.al

Të fundit Të gjitha