E ftuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin”, gazetarja e Euronews, Esmeralda Mulaj, komentoi ardhjen e Jakup Krasniqit në Kosovë.
Dhimbja e familjes dhe kufizimet e Gjykatës
Mulaj e konsideroi veçanërisht të dhimbshme pamjen e vëllait të Krasniqit, i cili qëndronte jashtë banesës në pritje për ta parë. Ajo ngriti pikëpyetje mbi arsyetimin e kufizimeve të vendosura nga Gjykata, duke theksuar se në fazën e apelit nuk do të administrohen prova të reja apo do të dëgjohen dëshmitarë të rinj.
Akuzat dhe paralelizmi me Vuçiçin
Gazetarja ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi akuzat ndaj Krasniqit, duke bërë një paralelizëm mes rolit të tij si zëdhënës i UÇK-së dhe të Aleksandar Vuçiçit si zëdhënës i Slobodan Millosheviçit.
“Jakup Krasniqi është 76 vjeç dhe po vjen te familja për një rast të veçantë. Ndërkohë, ka përfunduar shkalla e parë e gjykimit dhe ai ka marrë një dënim. Janë administruar provat dhe dëshmitë e dëshmitarëve, ndërsa në apel nuk do të administrohen prova të reja apo të dëgjohen dëshmitarë të tjerë. Të gjitha këto tregojnë mënyrën brutale, një mënyrë në formë urrejtjeje që Dhomat e Specializuara dhe gjyqtarët e tyre kanë pasur ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Hashim Thaçin nuk e lanë të varroste të atin dhe kjo është skandaloze. Po kështu, është skandaloze që nuk e lejojnë vëllanë, në këtë moshë, të takojë të vëllanë. Pamjet kur vëllai i tij bënte ecejake jashtë shtëpisë, duke pritur ta shihte, janë shumë të dhimbshme. Kjo tregon një urrejtje që, nga i pari te i fundit, e kanë pasur. Natyrisht, nuk mund të presësh gjë tjetër nga një drejtuesе e Dhomave të Specializuara, e cila është specializuar në Rusi. Trendafilova, drejtuesja e Dhomave të Specializuara, ka kryer dy vizita studimore, siç i quan ajo, në Moskë, në vitet 1984, 1985, me shpenzimet e saj. Unë nuk besoj se në këto rastësitë që një bullgare të kryejë vizita studimore në Moskë me paratë e saj dhe më pas, krejt papritur, të bëhet kryetare e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Këto nuk janë rastësi, ashtu siç nuk ishte rastësi që edhe kryetari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës doli se ishte njeri i rusëve, në kohën kur është miratuar raporti i Dick Marty-t. Apo Charles Smith-it, prokuori që i dënoi, ka dokumente zyrtare ku thotë se duhej të dënohej Fatmir Limaj. Ndërsa Jakup Krasniqi ishte zëdhënës i UÇK-së. Nuk ka akuzë se ka vrarë njeri, thjesht ka bërë dhe shkruar deklarata, e herë i ka lexuar. Çfarë duhet të themi atëherë për Aleksandar Vuçiçin, që ka qenë zëdhënës i Millosheviçit?”, tha gazetarja.
Burimi: euronews.al










