Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Aktualitet

Ligji i ri kundër duhanit: ndalohet shitja online e cigareve

Ligji i ri kundër duhanit: ndalohet shitja online e cigareve
Foto: shqiptarja.com

Pas 20 vitesh, Shqipëria pritet të ketë një ligj të ri kundër duhanit. Drafti sjell kufizime për cigaret tradicionale dhe elektronike, ndalon shitjen online dhe ashpërson rregullat për reklamimin dhe përdorimin e tyre nga të miturit. Megjithatë, më shumë se kufizimet, sprova e vërtetë do të jetë zbatimi i tyre, në krahasim me situatën aktuale.

Shitja online dhe blerja nga të miturit

Produktet e duhanit nuk do të lejohet të shiten online, ndërsa të miturit nuk do të mund t’i blejnë, pasi do t’u kërkohet të dëshmojnë moshën e tyre. Projektligji i ri kundër duhanit parashikon kufizime më të forta për të penguar aksesin e fëmijëve dhe të rinjve te cigaret tradicionale ose ato elektronike.

Produktet që përfshihen

Ministria e Shëndetësisë ka hedhur për konsultim publik aktin e ri, i cili vjen 20 vjet pas ligjit aktual, zbatimi i së cilit la shumë për të dëshiruar. Për herë të parë, në fokus janë edhe produktet e reja përtej cigares “tradicionale”, si cigaret elektronike, qeskat me nikotinë dhe produktet me avullim, ose siç njihen ndryshe vape.

“Ky ligj zbatohet për:
a) produktet e duhanit
b) cigaret elektronike dhe enët rimbushëse
c) produktet bimore për tymosje
ç) produktet e reja të duhanit
d) qeskat me nikotinë
dh) produktet njëpërdorimëshe për avullim
e) produktet e tjera që emetojnë tym ose aerosol pavarësisht nëse prodhohen në territorin e Republikës së Shqipërisë ose importohen.”

Verifikimi i moshës

Mosha minimale për blerjen mbetet 18 vjeç, por shitësit do të kenë mundësi të kërkojnë dokument identifikimi kur kanë dyshime për moshën e blerësit. Në këtë rast, nëse mungon dokumenti, produkti nuk duhet t’i shitet blerësit.

Drafti vendos theks të veçantë te ndalimi i porosive përmes internetit dhe shërbimit postar. Sipas relacionit, aktualisht mungon një sistem i besueshëm për verifikimin e moshës gjatë porosisë dhe dorëzimit, duke krijuar rrezikun që produktet të përfundojnë në duart e të miturve. Kufizime do të ketë edhe për shitjen përmes makinave automatike, vetëshërbimit dhe shitësve ambulantë.

Hapësirat ku ndalohet duhanpirja

Projektligji zgjeron gjithashtu hapësirat ku ndalohet duhanpirja, duke përfshirë jo vetëm tymin tradicional, por edhe produktet që emetojnë “aerosol”. Ndalimi do të përfshijë, ndër të tjera, edhe këndet e lojërave, zonat sportive dhe konsumin brenda një rrezeje prej 10 metrash nga institucionet arsimore dhe shëndetësore.

Reklamimi dhe sponsorizimi

Kufizime të forta parashikohen edhe për reklamimin dhe promovimin e produkteve të duhanit. Drafti ndalon reklamat në median e shkruar, televizion, radio dhe platformat online, si dhe sponsorizimin e aktiviteteve nga kompanitë e këtij sektori.

Gjobat dhe zbatimi

Gjoba mbetet e njëjtë, nga 5 mijë deri në 5 milionë lekë, në varësi të shkeljes, si dhe konfiskimi dhe asgjësimi i produkteve.

Sfida e vërtetë e ligjit të ri mbetet e njëjtë: sa realisht ai do të respektohet!

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha