Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Aktualitet

Letra e 1990-ës: efektivët u treguan frikacakë gjatë rrëmbimit të anijes luftarake

Letra e 1990-ës: efektivët u treguan frikacakë gjatë rrëmbimit të anijes luftarake
Foto: shqiptarja.com

Në disa organizata partie, si në lagjen “Vasil Shanto”, në Kamicë, Dajç dhe të tjera, u desh që të vinte Letra e Komitetit Qendror për t’u marrë qëndrim ndaj komunistëve, fëmijët, vëllezërit dhe motrat e të cilëve kishin ikur ose kishin hyrë në ambasada.

Pak më pak se një javë pas datës 2 korrik 1990, kur mijëra shtetas shqiptarë kaluan kangjellat dhe muret e ambasadave të huaja në Tiranë dhe hynë brenda ambienteve të tyre me qëllim largimin nga Shqipëria, udhëheqja e lartë e PPSH-së, me në krye sekretarin e parë Ramiz Alia, mbajti Plenumin e 11-të të Komitetit Qendror, i cili punoi më 6 dhe 7 korrik. Pas këtij plenumi, Komiteti Qendror i PPSH-së dërgoi një Letër të hapur te të gjitha komitetet e partisë në rrethe dhe te organizatat bazë të institucioneve dhe dikasterit të ndryshëm. Tema kryesore ishte situata e vështirë në vend pas ngjarjes së ambasadave, si dhe situata në kufijtë me Greqinë dhe Jugosllavinë, ku kishin nisur arratisjet e shtresave të ndryshme, gjë që konsiderohej shumë alarmante.

Kjo Letër e hapur u analizua dhe u punua në të gjitha organizatat bazë dhe komitetet e partisë në rrethe. Sipas orientimeve të ardhura nga grupi i instruktorëve pranë Komitetit Qendror, çdo javë udhëheqjes së lartë të PPSH-së i raportohej gjithçka që ndodhte në rrethet e tyre: nga gjendja ekonomike dhe realizimi i planeve, te situatat politike, ku kryesisht zinin vend problemet fetare, fletushkat dhe parullat e hedhura kundër qeverisë dhe regjimit komunist, deri te arratisjet nga vendi.

Raportet e hartuara nga komitetet e partisë së rretheve, që i dërgoheshin Komitetit Qendror (dhe që vazhduan deri në mbajtjen e Plenumit të 12 në nëntor), kishin në krye të faqes së parë shënimet: Shokut Ramiz, shokut Foto, shokut Abdyl Backa, etj. Shumica e tyre kishin edhe shënimet përkatëse. Këto dokumente janë nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së) dhe publikohen për herë të parë, me faksimilet përkatëse, në disa numra nga Memorie.al.

Dokumenti arkivor me raport-informacionin e komitetit të partisë së rrethit të Shkodrës, dërguar Ramiz Alisë më 14 nëntor 1990:

Shokut Ramiz
Shokut Foto
Shokut Abdyl Backa

R a p o r t
Mbi disa probleme e detyra që dalin nga punimi i letrës së Komitetit Qendror të Partisë.
14.11.1990

Letra e Komitetit Qendror të Partisë, e cila u punua dhe u diskutua në të gjitha organizatat bazë dhe te masat, shërbeu për të sqaruar dhe kuptuar më thellë vendimet e plenumeve të fundit të Komitetit Qendror. Siç na e ka bërë vazhdimisht të qartë Partia, dhe siç ritheksohet me forcë në Letrën e Komitetit Qendror, situata në botë dhe përreth nesh është e mbushur me probleme të mprehta politike. Armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm po veprojnë intensivisht, po përdorin të gjitha mjetet dhe format kundër vendit tonë, me synimin për të përmbysur pushtetin popullor, socializmin dhe për të na grabitur lirinë dhe pavarësinë që e kemi fituar me gjak dhe sakrifica. Edhe në rrethin tonë po ndeshemi me shfaqje të kësaj veprimtarie. Sipas një skenari të parapërgatitur, armiqtë u përpoqën të krijojnë trazira që në janar të këtij viti, por u ndeshën me vigjilencën e komunistëve dhe të masave dhe dështuan.

Megjithatë, ata nuk i kanë ulur kurrë përpjekjet dhe po përgatisin skenarë të tjerë, më të rafinuar, duke nxitur arratisjet, strehimin në ambasada, hedhjen e fletushkave dhe parullave me përmbajtje armiqësore, e të tjera. Për t’u përballur me këto situata, në frymën e plenumeve të fundit të Komitetit Qendror dhe fjalimeve programatike të shokut Ramiz Alia, organet dhe organizatat e Partisë nga rrethi deri në bazë kanë zhvilluar një punë të dendur politike-edukative, për sqarimin e kuptimit të situatave dhe të vendimeve që ka marrë Partia në kuadrin e demokratizimit të mëtejshëm të gjithë jetës së vendit.

Mosqarimi në kohë, pa cilësi dhe pa argumente bindëse, krijon konfuzion në mendime, pasivitet, lëkundje dhe hutim në interpretimin e ngjarjeve, dhe në probleme të tilla të rëndësishme si kuptimi dhe zbatimi i luftës së klasave, parimi i mbështetjes në forcat e veta në ndërtimin e socializmit, qëndrimi ndaj fesë, pronës private e të tjera. Në Bajzë, disa komunistë shkuan për ta uruar një njeri që sapo kishte dalë nga burgu për motive politike.

Në disa organizata partie, si në lagjen “Vasil Shanto”, në Kamicë, Dajç e të tjera, u desh që të vinte Letra e Komitetit Qendror për t’u marrë qëndrim ndaj komunistëve, fëmijët, vëllezërit dhe motrat e të cilëve kishin ikur ose kishin hyrë në ambasada.

Edhe më keq është rasti i prokurorisë, ku edhe pas Letrës u mbajt qëndrim sentimental dhe oportunist ndaj një punonjësi të tyre, fëmija i të cilit ikte përmes ambasadave. Armiku i jashtëm dhe i brendshëm përpiqet me të gjitha format t’i kundërvihet vendimeve të Partisë dhe masave që ajo po merr për demokratizimin e mëtejshëm të jetës së vendit.

Në Obot ka këmbëngulje për të marrë toka në trojet e mëparshme, jo afër shtëpive të fshatit të ndërtuara pas tërmetit të vitit 1979. Këtu roli i byrosë dhe i organizatës bazë të Partisë, me sekretar Valentin Gocaj dhe anëtarin e plenumit Daut Alia, nuk ka qenë në lartësinë e duhur. Ata nuk e njohin gjendjen, nuk shtrohen gjunjë më gjunjë me popullin, dhe si rrjedhojë nuk kanë arritur t’i gjejnë organizatorët dhe nxitësit e kësaj situate.

Paqartësi dhe mëdyshje të tilla ka pasur edhe në Vig, Bajzë, Postribë e të tjera. Mungesë durimi për të sqaruar punëtorët, si dhe zvarritje në zgjidhjen e problemeve, kemi pasur edhe në ndërmarrje të qytetit, si në Konservën, Kombinatin e Drurit, Zunkthë-Kashtë e të tjera.

Tashmë është e qartë se kohë për të pritur nuk ka. Derisa dikush nga lart të diktojë, ngjarja dhe fenomeni po i ikin nga duart; armiku fiton terren, dhe këtë në asnjë mënyrë nuk duhet ta lejojmë. Demokratizimi i jetës së vendit është një proces i pandalshëm dhe i pakthyeshëm.

Gjatë zbatimit të tij jemi ndeshur dhe do të ndeshemi me probleme dhe vështirësi nga më të ndryshmet, që lidhen me faktorë komplekse, të brendshëm dhe ndërkombëtarë. Shtrohet çështja: a duhet të tërhiqemi dhe të kthehemi aty ku ishim, apo situatave të reja t’u përgjigjemi me mendim dhe veprim të ri? Sigurisht që është e qartë se kthim prapa nuk do të ketë; përndryshe do të pajtoheshim me situata të kamufluara, me zjarrin e mbuluar me hi, që në çdo kohë është minë me sahat në themelet e shëndosha të socializmit. Prandaj do të veprojmë dhe do të ecim me mendje të qartë dhe besim të patundur në vijën e Partisë, në rrugën që kemi nisur për zbatimin e vendimeve të plenumeve të fundit të Komitetit Qendror.

Kjo e shtron detyrën që secili të kuptojë pa mëdyshje thelbin e vendimeve që ka marrë Partia, sepse kështu mund t’i marrim frytet që dëshirojmë. Alternativë tjetër nuk ka. Objektivi i rëndësishëm i punës së Partisë, në kushtet aktuale, për vetë specifikën e rrethit tonë, është puna për parandalimin e arratisjeve. Gjatë këtij viti janë arratisur 146 vetë, 147 vetë hynë dhe u larguan nëpërmjet ambasadave, ndërsa 304 vetë janë kapur ose këshilluar për tentativë arratisjeje. Në zonën e Vermoshit dhe të Bajzës këto vitet e fundit janë bërë shumë kalime kufiri, si nga banorët e fshatrave, ashtu edhe nga thellësia. Për këto janë bërë analiza dhe kritika për uljen e vigjilencës, por siç duket ato kanë qenë formale dhe sipërfaqësore. Anëtari i Plenumit të Komitetit të Partisë së Rrethit, Luigj Pepa në Vermosh, si dhe shokët Ndue Gjeka dhe Fran Alia në Bajzë, ngarkohen me përgjegjësi të rëndë, sepse duke mos u shkëputur nga metodat e vjetra të punës, nuk e njohin gjendjen moralo-politike të zonës, problemet dhe shqetësimet që ka atje.

Ata nuk kanë punuar për të ngritur opinionin e shëndoshë të komunistëve dhe të popullit. Si pasojë, vetëm gjatë këtij viti në Kelmend janë arratisur 49 vetë, kurse në Bajzë 22. A mund të justifikohen shokët Fahri Hoxhllaku dhe Marash Bunjaj, kur vetëm nga fshati Nikç, brenda një nate, u arratisën 20 vetë? Partia dhe shoku Ramiz Alia na mësojnë se kufiri ruhet në kufi, por edhe në thellësi. Këtë porosi nuk po e kuptojnë si duhet disa byro dhe organizata partie në ndërmarrje, lagje dhe institucione të qytetit, nga ku kemi pasur mjaft arratisje dhe strehime në ambasada të huaja.

Kështu, në Uzinën e Telave, ku punojnë dhe drejtojnë shokët e plenumit Hashim Mokshi dhe Violeta Sylja, ka mungesë të theksuar vigjilence, prandaj nga kjo ndërmarrje ka pasur arratisje dhe futje familjare në ambasadë. Po ashtu në N.P. Metalike, në Kombinatin e Drurit, në lagjen “Tre Heronjtë”, “Tom Kola” e të tjera, duhet ta shohin punën e tyre me sy kritik, për të nxjerrë mësime dhe për të parandaluar akte të tilla. Me të drejtë lind pyetja: pse ndodhin këto? Në radhë të parë, ato e kanë burimin tek puna e dobët ideopolitike me njerëzit, e cila shpesh bëhet globale, jo e argumentuar dhe e diferencuar sipas zonave, shtresave të popullsisë dhe problemeve.

Ajo nuk ka krijuar bindjen tek njerëzit se arratisja është tradhti ndaj atdheut, dhe se ai që e kryen këtë akt nuk është as i ndershëm, as patriot. E theksojmë këtë sepse ka interpretime sipërfaqësore, ka përpjekje për të minimizuar rrezikshmërinë shoqërore të arratisjes, duke u nisur nga ndryshimi që iu bë ligjit përkatës. Këtu ka ndryshuar vetëm cilësimi juridik, por aspak qëndrimi klasor ndaj këtij veprimi, që kurdoherë quhet armiqësor, tradhti ndaj atdheut. Nuk duhen ngatërruar dhe identifikuar ligjet me normat shoqërore, sepse ka shumë vepra të pahijshme që ligjet nuk i dënojnë, por opinioni shoqëror dhe Partia i dënojnë rreptë. Prandaj byrotë dhe organizatat bazë të Partisë duhet të bëjnë një punë të dendur për edukimin patriotik-revolucionar të masave, veçanërisht të rinisë. Me forma të larmishme dhe tërheqëse duhet t’i vënë në lëvizje, sidomos organizatat e masave, institucionet kulturore, shkollat, shtypi, radioja dhe intelektualët.

Ato duhet të popullarizojnë më mirë traditat e popullit tonë dhe të kultivojnë te masat dashurinë për atdheun. Organet e drejtësisë duhet të sqarojnë më mirë me masat përmbajtjen politike të ndryshimeve që u bënë në legjislacion, dhe në mënyrë të veçantë për kalimin e paligjshëm të kufirit. Puna politike ka efektivitet kur shoqërohet dhe mbështetet me masa organizative të forta. Kjo lidhet me rritjen e vigjilencës, me kuptimin dhe zbatimin e rregullave të ruajtjes së kufirit. Në këtë fushë kemi tradita dhe përvojë, të cilën duhet ta mbajmë vazhdimisht lart dhe t’i kundërvihemi me forcë disa koncepteve dhe mendimeve të gabuara që kanë dalë lidhur me zbatimin e rregullave të regjimit të kufirit. Meqenëse çdo shtetas mund të pajiset me pasaportë për të dalë jashtë shtetit, në disa fshatra, si në Gashaj, Kalldrun, Dajç e të tjera, kanë dalë disa mendime të gabuara: si pse të jetë kloni, pse të rrijë gjatë gjithë ditës i hapur, për pajisjen me leje kufitare e të tjera. Këto kanë ndikuar në uljen e vigjilencës dhe në organizimin dhe kryerjen e shërbimit nga njësitet.

Konceptet e gabuara thyhen edhe me njohjen e vazhdueshme të rregullave të regjimit të kufirit, me forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të popullit me organet e kufirit. Gjatë diskutimit të Letrës kanë dalë paqartësi lidhur me qëndrimin ndaj vizitorëve, sidomos ndaj atyre që janë arratisur vite më parë. Në disa organizata bazë dhe kolektiva, si në Reç, Vrakë, Gruemirë, në Degën e Doganës, Vukël, në lagjet e qytetit e të tjera, janë bërë pyetje dhe vërejtje të tilla: përse lejohet që fëmijët e të arratisurve të vijnë si vizitorë në vendin tonë? Pse u lejohet të arratisurve të sjellin pako? Hyrja e dollarit ka ndikuar në uljen e pjesëmarrjes në punë e të tjera. Sigurisht, pyetje të tilla duhen sqaruar pa vonesë, vazhdimisht dhe me argumente bindëse. Kryesore është që të kuptohet se çdo dukuri ka dinamikën e vet, dhe çdo etapë e zhvillimit tonë sjell me vete probleme të reja. Janë të kritikueshme qëndrimet sektare ndaj ardhjes si vizitorë të 4-5 të arratisurve që kanë ikur para 30 vjetësh, të cilët jo vetëm që nuk kanë ndonjë veprimtari armiqësore, por gjatë kësaj periudhe kanë shfaqur pendim dhe janë pozicionuar pro vendit tonë.

E njëjta gjë duhet thënë edhe për të afërmit e tyre, që kërkojnë të shkojnë si vizitorë jashtë shtetit. Megjithatë, për raste të tilla mund dhe duhet të diskutohet dhe të merret më parë mendimi në kolektivat përkatëse në ndërmarrje, fshat ose lagje.

Në çdo kohë të jemi vigjilentë dhe të pozicionohemi drejt. Koha nuk pranon që me masa administrative, me urdhër, për shembull duke ndaluar hyrjen e dollarit ose duke mbyllur dyqanin e blerjes me valutë, të zgjidhim disa probleme shqetësuese të qarkullimit të valutës. E rëndësishme

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha