Lidjana Shahinaj, një nga drejtueset e Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor, ndërroi jetë papritur në moshën 40-vjeçare.
Lajmi ka lënë në pikëllim familjarët dhe ka tronditur kolegët dhe të gjithë ata që e njihnin. Motra e saj, Valbona, shkroi në rrjetet sociale se Lidjana sapo kishte festuar 40-vjetorin, por “zemra e saj e tradhëtoi”.

“Sot duart e mia nuk më bëjnë të shkruaj, fjalë zemra nuk ka ç’të thotë. Motra ime e dyta, Lidjana, u largua nga ne, zemra e saj e tradhetoi, ia preu jetën në mes…Sapo kishte bërë 40 vjeç…” shkroi motra e saj, Valbona.
Reagimi i institucionit
Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor, ku Lidjana Shahinaj ishte pjesë prej kohësh dhe mbante post drejtuesi, reagoi me një mesazh prekës pas lajmit.
“Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të Lidjana Shahinaj, koleges sonë dhe një vajze unike, e cila diti t’u dhuronte kolegëve dhe miqve të saj mirësi, mbështetje dhe empati, si dhe të përcillte çdo ditë, përmes buzëqeshjes së saj, një energji pozitive që e karakterizonte dhe e bënte të veçantë mes nesh”, thuhet në njoftimin e Agjencisë.
“Për Agjencinë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, Lidjana ishte ndër të parat që përqafoi risinë dhe vizionin e Agjencisë, duke i qëndruar besnike këtij misioni deri në ditën kur na duhet të përballemi me largimin e saj. Ajo do të mbetet gjithmonë një nga njerëzit me vlera të rralla njerëzore dhe me një kontribut të çmuar në institucion.
E gjithë mirënjohja, dashuria dhe respekti ynë shkojnë sot për Lidjanën dhe familjen e saj”, përfundon njoftimi i trishtë i AKSHI-t.
Burimi: lajmifundit.al










