Hiri i shkrimtarit dhe diplomatit guatemalas, Miguel Ángel Asturias, është rivarrosur në vendlindjen e tij, 52 vjet pas vdekjes në mërgim.
Eshtrat e fituesit të Çmimit Nobel për Letërsi në vitin 1967 u sollën nga Parisi, ku ai kishte jetuar para vdekjes së tij nga kanceri në Madrid, në vitin 1974.
Ceremonia e rivarrimit u mbajt të dielën në një qendër kulturore në kryeqytetin e Guatemalës, e cila mban emrin e shkrimtarit. Urna me hirin e tij u vendos në dhe të mbledhur nga pjesë të ndryshme të vendit, në një ceremoni që nderoi jetën dhe veprën e tij.
Djali i shkrimtarit, i cili mban të njëjtin emër, gjatë ceremonisë tha: “Mund të të them, plak, se je me ne, je në atdheun tënd dhe do të flesh nën qiellin tënd”.
Jeta dhe veprat e Asturiasit
Asturias, i lindur më 1899, u shpërngul për herë të parë në Paris gjatë viteve 1920, për të studiuar etnologjinë. I ndikuar nga surrealistët, atje shkroi veprën e tij të parë të rëndësishme, “Legjendat e Guatemalës”, ku ritregoi legjendat e origjinës së Majave dhe rrëfimet mitologjike.
Në veprat e mëvonshme, përfshirë romanin “Presidenti” (1946) dhe trilogjinë “Banania”, ai trajtoi tmerret e diktaturave në Amerikën Latine dhe shfrytëzimin e punëtorëve indigjenë në plantacionet e bananeve. Një nga romanet e tij më të njohura, “Burrat e misrit”, botuar më 1949, trajton përballjen e komuniteteve indigjene me ndryshimet dhe modernizimin e shpejtë të shoqërisë.
Diplomacia dhe mërgimi
Gjatë periudhës së njohur si “Pranvera dhjetëvjeçare e Guatemalës” (1944–1954), Asturias shërbeu në disa pozita diplomatike në Amerikën Qendrore dhe Jugore, duke vazhduar njëkohësisht veprimtarinë letrare.
Megjithatë, pas rrëzimit të presidentit të zgjedhur në mënyrë demokratike, Jacobo Árbenz Guzmán, në një grusht shteti të mbështetur nga CIA më 1954, Asturias u privua nga shtetësia guatemalase, veprat e tij u ndaluan dhe ai u detyrua të largohej në mërgim.
Familja e tij kishte pranuar që hiri të zhvendosej nga varrezat Père Lachaise në Paris vetëm pas zgjedhjes së presidentit aktual të Guatemalës, Bernardo Arévalo, më 2023.
Arévalo, gjatë ceremonisë, e cilësoi Asturiasin si “zërin tonë në botë”, duke shtuar se shkrimtari meritonte të prehej në tokën të cilën e kishte emërtuar dhe rikrijuar përmes faqeve të veprave të tij.
Në ceremoninë e nderimit mori pjesë edhe fituesja e Çmimit Nobel për Paqe në vitin 1992, Rigoberta Menchú./KultPlus.com
Burimi: kultplus.com










