Në një kohë kur inteligjenca artificiale po riformëson marrëdhënien mes njeriut dhe teknologjisë, shkrimtari amerikan Bruce Holsinger e trajton këtë raport përmes një historie familjare, ku një aksident tragjik automobilistik shndërrohet në një dilemë mbi fajësinë, përgjegjësinë dhe kufijtë e autonomisë së makinave.
Një aksident dhe një familje e përfshirë
Romani i tij i katërt, Die letzten zehn Sekunden (Dhjetë sekondat e fundit), i botuar në gjuhën gjermane nga shtëpia botuese Hoffmann und Campe, ndërton një rrëfim thriller, në qendër të të cilit është familja Cassidy-Shaw. Gjatë një udhëtimi në Maryland, automjeti i tyre përplaset me një makinë që vjen nga drejtimi i kundërt, duke shkaktuar vdekjen e një çifti të moshuarish. Familjarët e mbijetojnë aksidentin me lëndime, por ngjarja shënon fillimin e një përballjeje të ndërlikuar me të vërtetën.
Në momentin e përplasjes, në timon ndodhej Charlie, djali i madh i familjes, por automjeti ishte gjithashtu i pajisur me një sistem drejtimi autonom të mbështetur nga inteligjenca artificiale, i cili supozohej ta parandalonte aksidentin. Kështu, pyetja qendrore e romanit bëhet se kush duhet të mbajë përgjegjësi kur një vendim me pasoja fatale përfshin njëkohësisht njeriun dhe një sistem inteligjent të krijuar prej tij.
Dilemat morale të personazheve
Përmes rrëfimit në vetën e parë të Noah, babait të familjes, Holsinger ndërthur tensionin e një hetimi kriminal me konfliktet morale dhe psikologjike të një familjeje që përballet me sekretet e veta. Ndër personazhet kryesore është edhe Lorelai, bashkëshortja e Noah-it, filozofe e specializuar në etikën e inteligjencës artificiale dhe njëkohësisht e përfshirë në zhvillimin e algoritmeve autonome.
Pikërisht përmes saj, autori shtron një nga dilemat më të rëndësishme të kohës sonë: a mund të konsiderohet një makinë përgjegjëse për veprimet e saj, nëse nuk ka vetëdije për vuajtjen, dhimbjen apo pasojat e vendimeve që merr?
“Makina nuk është përgjegjëse për veprimet e saj. Ne mbajmë përgjegjësi për pasojat e lirisë që u japim objekteve të krijuara prej nesh”, është një nga idetë filozofike që artikulon personazhi i Lorelait në roman.
Ndërthurja me debatin politik dhe teknologjik
Rrëfimi pasurohet edhe me elemente të aktualitetit politik dhe teknologjik, përfshirë intervista të imagjinuara me një miliarder të inteligjencës artificiale dhe procesverbale të seancave dëgjimore në Senatin amerikan mbi përdorimin e sistemeve autonome. Përmes këtyre ndërthurjeve, Holsinger e zgjeron historinë përtej një aksidenti automobilistik, duke e vendosur atë në kontekstin e debatit mbi pushtetin teknologjik dhe përgjegjësinë e kompanive që zhvillojnë sisteme të inteligjencës artificiale.
Në vlerësimin e kritikut Yannic Walter, botuar në gazetën gjermane taz, një nga arritjet e romanit qëndron në aftësinë për të trajtuar ndikimin e inteligjencës artificiale mbi shoqërinë përmes një njësie të vogël, por thelbësore të saj: familjes. Teknologjia, e cila në pamje të parë premton siguri dhe saktësi, bëhet një faktor që vë në pikëpyetje kujtesën, besimin dhe vetë të vërtetën mes njerëzve.
Me këtë vepër, Holsinger sjell një reflektim letrar mbi kufijtë e teknologjisë dhe përgjegjësinë njerëzore, duke ngritur një pyetje që bëhet gjithnjë e më aktuale: në një botë ku vendimet po u besohen gjithnjë e më shumë algoritmeve, kush përgjigjet për pasojat e tyre?/KultPlus.com
Burimi: kultplus.com









