TIRANË, 15 nëntor /ATSH/ Arti, kultura dhe trashëgimia kulturore zënë pjesën më të madhe të buxhetit 2027 të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, duke përfshirë financimin për institucionet artistike, muzetë, arkivat, skenën e pavarur dhe investimet kapitale në objektet e trashëgimisë kulturore.
Buxheti i ministrisë
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur në një intervistë televizive, se financimi për këta sektorë arrin në 72% të buxhetit të përgjithshëm të ministrisë, duke përfshirë programet artistike, institucionet e kulturës dhe projektet për restaurimin e monumenteve dhe objekteve të trashëgimisë.
Sipas tij, nga buxheti total prej 7,65 miliardë lekë, 5,45 miliardë lekë i adresohen artit dhe trashëgimisë kulturore.
Ky buxhet është në rritje 3,5% në raport me vitin 2026, teksa mund të kryhen edhe rialokime gjatë vitit përmes akteve normative.
Gonxhja tha se financimi i trashëgimisë kulturore nuk mbështetet vetëm në buxhetin e shtetit, por edhe në partneritetet ndërkombëtare, fondet e huaja dhe programet e Bashkimit Evropian, përfshirë instrumentet IPA.
Muzeu Historik Kombëtar
Ministri u ndal në ecurinë e punimeve të restaurimit të Muzeut Historik Kombëtar.
“Përfundimi i punimeve për përforcimin e themeleve të Muzeut Historik Kombëtar dhe nisja e fazës së rikonstruksionit të brendshëm dhe muzealizimit janë në fokus të projektit për transformimin e këtij institucioni të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore. Për përfundimin e një pjese të mbetur të punimeve të përforcimit të themeleve të muzeut janë siguruar 2 milionë euro. Kjo ndërhyrje konsiderohet e domosdoshme për të kaluar në fazën e dytë të projektit, që parashikon rikonstruksionin e plotë të ambienteve të brendshme dhe muzealizimin. Punimet në pjesën e jashtme, përfshirë fasadat, kanë përfunduar, ndërsa ndërhyrjet strukturore janë kusht për vijimin e projektit tërësor”, tha Gonxhja.
Sipas tij, në këtë proces, rol të rëndësishëm pritet të ketë edhe financimi nga Banka Evropiane e Investimeve (BEI), e cila po avancon me miratimin e një kredie dhe krijimin e një strukture për zbatimin e projektit pranë ministrisë.
Projekti për Muzeun Historik Kombëtar synon ta kthejë atë në një qendër të rëndësishme të prezantimit të historisë shqiptare dhe një pikë referimi për vizitorët vendas e të huaj, duke krijuar një lidhje më të fortë me muzetë dhe sitet e tjera të trashëgimisë kulturore në vend.
Qendrat dhe institucionet e reja
Gonxhja informoi se, Shqipëria synon të krijojë Qendrën multifunksionale të fëmijëve, një institucion kulturor me standardet më të avancuara në rajon dhe në Ballkan, duke investuar jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në teknologji, programe artistike dhe modele profesionale menaxhimi.
“Hapësirat e reja në këtë Qendër do të ofrojnë mundësi të zgjeruara për ekspozita, aktivitete artistike dhe programe të shumëllojshme, me ambiente multifunksionale, skena moderne dhe hapësira të hapura për publikun”, u shpreh ministri.
Gjithashtu theksoi ai, projekti për Galerinë e Arteve synon ta kthejë atë në Qendrën Kombëtare të Arteve, e konceptuar si muze i arteve të bukura, për të cilën po bashkëpunohet me muzeun MAXXI të Romës, që po sjell përvojë dhe ekspertizë në organizimin dhe administrimin e institucioneve bashkëkohore të artit.
Sa i përket Teatrit të ri Kombëtar dhe qendrës kulturore, Gonxhja nënvizoi se teknologjia skenike dhe pajisjet e specializuara kërkojnë procedura të veçanta prokurimi, të ndara nga ato të ndërtimit. Për këtë arsye, tha ai, po punohet për zgjidhjen e çështjeve kontraktuale dhe respektimin e të gjitha procedurave ligjore, me synimin që objektet të përmbushin standardet e kërkuara.
Projektet parashikojnë gjithashtu rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe financiare për funksionimin e institucioneve. Qendra Kombëtare e Arteve pritet të ketë një kapacitet dukshëm më të madh, pasi, siç tha Gonxhja, “sfida kryesore nuk është vetëm ndërtimi i godinave moderne, por garantimi i funksionimit, menaxhimit artistik dhe qëndrueshmërisë së tyre në kohë”.
Librat dhe bibliotekat
Ministri theksoi se, vëmendje e veçantë po i kushtohet gjithashtu krijimit të hapësirave publike ku qytetarët, veçanërisht të rinjtë, të kenë mundësi të njihen me librin, të lexojnë dhe të marrin pjesë në aktivitete kulturore pa qenë e nevojshme të blejnë libra apo të paguajnë për aksesin.
Për këtë qëllim, shpjegoi ai, po punohet në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Rinisë, Bibliotekën Kombëtare dhe institucionet e trashëgimisë kulturore për ngritjen e qendrave sociale të librit, të cilat do të shërbejnë edhe si hapësira takimi për të rinjtë, shkrimtarët dhe artistët. Ndërkohë, në fokus është edhe rijetëzimi i hapësirave të Pallatit të Kulturës, ku ndodhet aktualisht Biblioteka Kombëtare, me synimin për të përmirësuar kushtet dhe shfrytëzimin e ambienteve ekzistuese.
“Projekti për Bibliotekën e re Kombëtare, pranë Gardës së Republikës dhe Qendrës Kombëtare të Fëmijëve, parashikon rreth 25 mijë metra katrorë sipërfaqe ndërtimi. Kontrata për projektin është firmosur dhe biblioteka e re synon të krijojë një qendër moderne për librin, leximin dhe aktivitetet kulturore”, tha ai.
/e.xh/a f/
Burimi: ata.gov.al










