Rreth 4 kilometra pasi lë Tepelenën në rrugën kombëtare drejt Gjirokastrës, kthesa e fshatit Luzat të fton të hysh në një parajsë natyrore, në një nga zonat e paeksploruara por të mahnitshme të vendit.
Një fshat me shtëpi të vjetra dhe banorë të pakët
Pjesa historike e fshatit, me shtëpi të vjetra por shumë piktoreske, është vendosur në këmbët e maleve mbi 1500 metër, mes pyjeve dhe përrenjve. Sot ka vetëm pesë shtëpi të banuara, të gjitha nga të moshuar, pasi pjesa tjetër e banorëve është larguar për emigrim ose drejt qyteteve të afërta si Tirana.
Shtëpitë janë të mëdha, me oborre të mbuluara me pjergulla dhe pemë frutore, ndërsa pulat dhe kafshët e tjera shtëpiake enden të lira nëpër rrugët e fshatit.
Banorët e mbetur janë shumë mikpritës. Një grua hap derën sapo i kërkojmë leje për të mbushur ujë përpara se të nisemi drejt Majës së Buzë Bredhit, në malësinë sipër fshatit. Ajo jeton aty me bashkëshortin, ndërsa fëmijët janë në emigracion.
“Ke shtëpi të bukur”, i them. “Kemi punuar tërë jetën për këtë shtëpi”, më thotë ajo me theksin e zonës, që nuk tingëllon aspak i ashpër.
Vende për t’u vizituar dhe arti në natyrë
Edhe pse duket modest, Luzati ka shumë për të ofruar. Shumë pranë rrugës kombëtare, fshati është pikënisje për disa aktivitete në natyrë, por edhe për atraksione kulturore.
Shtëpia-muze e familjes Kalo është njëra prej tyre, e rindërtuar për të ruajtur dhe ekspozuar historinë, kulturën dhe trashëgiminë patriotike të zonës. Brenda “Vatrës”, vizitorët mund të shohin objekte të jetës së përditshme të hershme, dokumente historike dhe dëshmi të kontributit të fshatit në ngjarjet e mëdha kombëtare.
Shkolla e vjetër e fshatit është shndërruar në qendrën rajonale LuzatArt. Çdo vit, zakonisht në mesin e gushtit, fshati pret artistë nga Shqipëria, Ballkani Perëndimor dhe bota, të cilët jetojnë në fshat për disa ditë.
Artistët krijojnë instalacione, mozaikë, skulptura në gur e dru, si dhe piktura murale direkt në mjediset e jashtme. Një nga veprat e njohura është muralja “Hëna” e artistit italian Giorgio Rizzo. Këto punime qëndrojnë përgjithmonë aty, duke krijuar një muze arti bashkëkohor në natyrë, ku skulpturat dhe instalacionet janë të shpërndara mes kodrave, pemëve dhe mureve të gurta.
Ndërkaq, banorët e mbetur mbajnë gjallë shtëpitë dhe traditat, duke pritur të ikurit, që kthehen gjithmonë për të parë njerëzit e tyre, por edhe për të ndihmuar në mirëmbajtjen e banesave, tokave dhe bagëtisë.
Shtegu drejt maleve dhe ujëvarat
Për vizitorët në një ditë nëntori, fshati duket i qetë. Në fillim të shtegut drejt maleve, ku synimi është maja e Buzë Bredhit, apo siç njihet nga vendasit Mali i Buzë Derrit, gurorja shfaq pamje gërmimesh, gropash dhe tunelesh, por aty nuk punohet më.
Për ata që duan pak lodhje, itinerari mund të jetë Ujëvara e Luzatit (e njohur nga vendasit edhe si Ujëvara e Lyerit ose Tre Ujëvarat), e fshehur brenda një mase të dendur bimësie.
Janë tre ujëvara të njëpasnjëshme, vetëm pak metra larg njëra-tjetrës. Uji buron i ftohtë nga shpatet e Malit të Buzë Derrit. Ndryshe nga disa ujëvara të tjera të Jugut që thahen plotësisht gjatë verës, Luzati karakterizohet nga burime të shumta që bëjnë që uji të gurgullojë pothuajse gjatë gjithë vitit.
Pjesa më lart është thjesht e mahnitshme, me një shteg malor që kalon mes pyllit, ku pemë të të gjitha llojeve mbushin shpatet dhe ku spikat e verdha dhe e kuqja e fortë e shkurreve.
Pyjet, bimësia dhe blegtoria
Pyjet mbi Luzat dallohen për bimësi të dendur. Bredhi i Bardhë është krenaria e këtij mali, aq sa një nga pikat më të famshme natyrore sipër fshatit quhet pikërisht “Buza e Bredhit”, e cila gëzon edhe statusin e Monumentit të Natyrës.
Shkoza e kuqe është shkaktarja kryesore e së kuqes së flaktë nëpër shkëmbinjtë e Tepelenës. Gjethet e saj rrumbullake kthehen në të kuqe flakë dhe portokalli të thellë, duke krijuar kontrast të jashtëzakonshëm me gjelbërimin e përhershëm të bredhave te “Buza e Bredhit”.
Masivi pyjor ka edhe panjë të egër, gjethet e së cilës në formë ylli kthehen në nuanca spektakolare, nga e verdha e ndezur deri te e kuqja e pastër.
Brenda fshatit dhe rreth tij, syri takon drurë shekullorë, disa ende madhështorë me degët drejt qiellit, e disa të tjerë të djegur nga rrufetë ose të ngrënë nga koha.
Ndërsa vijon ngjitjen, zhurmave të pyllit i shtohen lehjet e qenve të disa staneve. Ndërtesat me çati llamarine dhe lerat me ujë për bagëtinë tregojnë se blegtoria është aktiviteti më i rëndësishëm për jetesën e banorëve. Gjatë rrugës takohen kryesisht tufa dhish. Bulmeti i zonës është i famshëm dhe i kërkuar në gjithë vendin.
Maja e Buzë Derrit dhe pamja nga lart
Shtegu kalon mbi disa kurriza malore, dhe rruga zgjatet deri sipër pyllit, ku nisin kullotat alpine. Sapo arrin Buzën e Bredhit, peizazhi ndryshon tërësisht.
Maja e Buzë Derrit, sipas legjendave lokale, e ka marrë emrin nga një derr gjigant që, i ndjekur nga gjahtarët, i lodhur dhe i inatosur, u përplas me malin dhe u kthye në shkëmb. Kur e vështron nga afër, legjenda duket se merr vërtetësi: çarjet e mëdha, shkëmbinjtë e prerë si me thikë dhe lëndinat e gropëzuara krijojnë përshtypjen e një përplasjeje madhore. Sigurisht, jo nga ndonjë derr gjigant, por shkëputjet gjeologjike të së kaluarës kanë krijuar të gjitha format e relievit në një vend të vetëm.
Ndoshta emri vjen edhe nga derrat e shumtë që popullojnë pyjet, gjurmët e të cilëve ishin të dukshme gjatë gjithë shtegut, nga gërmimi i tokës për nxjerrjen e rrënjëve të ushqyeshme. Ose ndoshta vjen nga ngjashmëria e majës me një noçkë që qëndron mbi honet e thella të luginës.
Maja na pret me erë të ftohtë dhe pika shiu që nuk të lejojnë të qëndrosh gjatë, por aq sa për të memorizuar pamjen e mrekullueshme të luginës së Vjosës. Ajo duket e gjitha, nga grykës e Mezhgoranit, përgjatë shtratit të butë në Tepelenë, duke u zhdukur në largësi drejt perëndimit.
Në anën jugore, maja përfundon me një greminë të frikshme dhe mbresëlënëse, një mur shkëmbor vertikal 700 metrash që bie thikë mbi fundin e luginës së Luzatit. Nga ana tjetër, ndeshen gropa të mëdha karstike.
Përtej luginës së Vjosës ngrihet vargmali i Shëndëllisë, Lunxhërisë dhe Buretos, me maja që lartësohen njëra pas tjetrës, paralelisht.
Në veri, Maja e Këndërvicës dallohet madhështore në lartësinë 2121 m, maja më e lartë e Malësisë së Kurveleshit. Pamja arrin deri te kurrizorja e Çikës. Më në jug shihet lugina drejt zonës së Gjirokastrës, e rrethuar nga kodra dhe fshatra të vegjël të izoluar.
Ngjitja në Majën e Buzë Bredhit duhet pranuar se është sfiduese, por shpërblen gjithkënd që ka durimin ta arrijë, me një nga pamjet më të egra dhe më të bukura të Labërisë./atsh/KultPlus.com
Burimi: kultplus.com










