Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

Charlie Chaplin, gjeniu që e bëri qeshjen gjuhë universale

Charlie Chaplin, gjeniu që e bëri qeshjen gjuhë universale
Foto: kultplus.com

Në epokën kur kinemaja ende nuk kishte zërin për të shqiptuar fjalët, Charlie Chaplin arriti të bëhej një nga zërat më të fuqishëm të njerëzimit. Ai nuk kishte nevojë për dialogë të gjatë, për shpjegime apo për ligjërime morale. Mjaftonte një vështrim, një gjest i brishtë, një hap i pasigurt i vagabondit të tij të famshëm, për të zbuluar tragjedinë dhe madhështinë e qenies njerëzore. Pas të qeshurës që shkaktonte, fshihej një filozofi e ndjeshme e jetës: njeriu mund të rrëzohet, të zhgënjehet, të humbasë, por nuk duhet të heqë dorë nga aftësia për të dashur, për të falur dhe për të besuar sërish.

Një jetë e mbushur me ndjenja

Kam falur atë që dikur më dukej e pafalshme. Jam përpjekur të zëvendësoj ata që mendonin se ishin të pazëvendësueshëm dhe të harroj ata që besoja se do të mbeteshin të paharrueshëm.

“Kam vepruar sipas impulseve, kam qeshur edhe atëherë kur gjithçka dukej e pamundur dhe kam krijuar miqësi të qëndrueshme, të sprovuara nga koha dhe besnikëria.

Kam dashuruar thellësisht dhe jam dashuruar në këmbim. Kam bërtitur nga gëzimi. Po, kam jetuar dashurinë, kam bërë premtime dhe kam dhënë betime që, në ato çaste, i besoja të përjetshme.” do të shprehet gjigandi i filmit pa zë, Charlie Chaplin.

Duke vijuar ai shtonte se: “Kam qarë duke dëgjuar muzikë dhe jam ndalur përpara fotografive, duke ndier peshën e kujtimeve që ato zgjojnë.

Humbjet dhe forca për t’u ngritur

Ka pasur çaste kur kam telefonuar dikë vetëm për të dëgjuar zërin e tij. Jam magjepsur pas një buzëqeshjeje dhe kam besuar se nuk do të mund t’i mbijetoja kurrë humbjes së një njeriu të veçantë. Dhe i humba disa prej tyre, por mbijetova. Ja ku jam, ende këtu, ende duke jetuar.

Nuk mund ta lejoj jetën të më kalojë përpara syve pa e jetuar vërtet. Dhe as ju nuk duhet ta lejoni këtë. Sepse ndoshta pikërisht këtu qëndron një prej kuptimeve më të mëdha të ekzistencës, edhe pse jeta mund të ketë aq shumë qëllime sa ç’ka njerëz që përpiqen t’ia zbulojnë kuptimin.”

Thirrja për të jetuar me guxim

“Jetoni! Jetoni me vendosmëri dhe vetëbesim. Përqafojeni çdo çast me pasion. Luftoni për atë që besoni dhe, kur të humbni, dini të humbni me dinjitet. Guxoni të fitoni, sepse bota u përket atyre që kanë guximin të rrezikojnë.” do të citonte Chaplin me thjeshtësinë dhe përzemërsinë atërore dhe me thellësinë e një mendimi filozofik që u mbrujt në stuhinë e një sfidave, që në pamundësi për ta nënshtruar dhe mposhtur, ata thjeshtë e farkëtuan dhe e bënë të pashpërbëshëm në gjenialitetin që mbretëroi epokën e filmit pa zë.

Trashëgimia e një artisti të heshtur

Ndoshta kjo është arsyeja pse Chaplini vazhdon të na flasë edhe sot, shumë kohë pasi kinemaja e kapërceu epokën e heshtjes. Ai na mësoi se jo gjithmonë duhen fjalë për të thënë gjëra të mëdha dhe se e qeshura mund të jetë një mënyrë e thellë për të përballuar dhimbjen. Në ekran, ai ishte njeriu që rrëzohej, por ngrihej përsëri; që përballej me padrejtësinë pa e humbur njerëzoren; që, edhe në varfëri e vetmi, ruante një grimë dinjiteti dhe shprese. Kjo është trashëgimia e tij më e çmuar: të mos e lejojmë jetën të na e vjedhë zemrën, as dhimbjen të na e shuajë dritën e brendshme.

Përgatiti: Albert Vataj/ Charlie Chaplin

Burimi: kultplus.com

Të fundit Të gjitha