Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Ibrahimaj: Pensionet indeksohen që nga prilli

Ibrahimaj: Pensionet indeksohen që nga prilli
Foto: ata.gov.al

TIRANË, 9 nëntor/ATSH/ Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka parashikuar një fond prej 4 miliardë lekësh në projektbuxhetin e vitit 2027 për indeksimin e pensioneve dhe afrimin e këtij procesi në muajin prill.

Indeksimi i pensioneve në prill

Gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2027 në Komisionin për Ekonominë Punësimin dhe Financat, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se synohet që indeksimi i pensioneve të kryhet në muajin prill, pas ndryshimeve të ndërmarra në vitet e fundit për afatin e zbatimit të tij.

Ibrahimaj tha se pas ndërhyrjeve të nevojshme në vitin 2022, indeksimi ishte shtyrë nga muaji prill në tetor, ndërsa më pas ishte afruar në muajin korrik.

Sipas saj, me buxhetin e vitit 2027 synohet që ky proces të realizohet që në muajin prill.

“Gjithashtu, në buxhet është parashikuar edhe dyfishimi i bonusit mujor për pensionistët, në përputhje me angazhimin e përcaktuar në programin e qeverisë. Për këtë qëllim, është vënë në dispozicion një fond prej 20 miliardë lekësh”, tha Ibrahimaj.

Financimi i strehimit

Lidhur me strehimin, Ibrahimaj tha se në fushën e strehimit, projektbuxheti i vitit 2027 parashikon një financim prej 1,25 miliardë lekësh, nga të cilat 745 milionë lekë për mbështetjen e drejtpërdrejtë të familjeve dhe 500 milionë lekë për investime”.

Për vitin 2027, shtoi Ibrahimaj, vijojmë financimin e programeve ekzistuese të strehimit, por njëkohësisht kemi parashikuar edhe ndërhyrje të reja, që synojnë zgjerimin e mundësive për strehim social dhe të përballueshëm.

“Konkretisht, 448 milionë lekë janë parashikuar për subvencionimin e interesave të kredive të lehtësuara. Përmes këtij financimi do të vijojë mbështetja për rreth 7 mijë familje përfituese, ndërsa synojmë të përfshijmë edhe rreth 1 mijë familje të reja gjatë vitit 2027. Për të ilustruar ecurinë e kësaj skeme, gjatë vitit 2026 kanë përfituar kredi të lehtësuara për banesë rreth 700 familje. Një tjetër instrument mbështetës është subvencionimi i qirasë, për të cilin kemi parashikuar 262 milionë lekë, me një objektiv prej rreth 2 mijë familjesh përfituese. Ndërkohë, 35 milionë lekë do të përdoren për mbështetjen e familjeve të prekura nga projekti i Unazës së Madhe, si dhe të familjeve në situata të veçanta vulnerabiliteti, përmes granteve të menjëhershme”, nënvizoi Ibrahimaj.

Investimet dhe banesat me qira sociale

Sa i përket investimeve, Ibrahmaj informoi se 350 milionë lekë janë parashikuar për përmirësimin e kushteve të banimit.

“Në këtë kuadër, do të vijojnë ndërhyrjet për 663 familje në 26 bashki, ndërsa janë parashikuar edhe mbi 100 milionë lekë për ndërhyrje të reja. Këto investime shtrihen në një numër bashkish, përfshirë Matin, Librazhdin, Gramshin, Devollin, Dibrën dhe Tropojën, ku nevojat për përmirësimin e kushteve të banimit mbeten të konsiderueshme. Për vitin 2027, një drejtim i ri i politikës së strehimit është edhe krijimi gradual i një fondi publik banesash me qira sociale. Për këtë qëllim kemi parashikuar 150 milionë lekë për përshtatjen e godinave publike në pronësi të bashkive në banesa sociale me qira. Kjo ndërhyrje synon të krijojë një kapacitet më të qëndrueshëm strehimi, duke i dhënë mundësi pushtetit vendor të ofrojë zgjidhje afatgjata për familjet në nevojë, përtej instrumenteve të subvencionimit të përkohshëm”, tha Ibrahimaj.

Njëkohësisht, shtoi ajo, po punojmë për zgjerimin e politikës së strehimit edhe drejt kategorive që nuk kualifikohen domosdoshmërisht për programet tradicionale të strehimit social, por që përballen me vështirësi reale për të siguruar një banesë me çmimet aktuale të tregut.

Fondi Kombëtar i Strehimit

Ministrja Ibrahimaj bëri të ditur se po punohet edhe për ngritjen e Fondit Kombëtar të Strehimit Social dhe të Përballueshëm, i cili synon të krijojë një mekanizëm të integruar financimi, duke kombinuar burimet e buxhetit të shtetit, kontributet që rrjedhin nga detyrimet ligjore të zhvilluesve të ndërtimit, donacionet dhe financimet ndërkombëtare.

“Ky është një drejtim ku synojmë të kalojmë gradualisht nga mbështetja kryesisht përmes subvencioneve individuale drejt krijimit të një oferte më të qëndrueshme banesash sociale dhe të përballueshme”, tha Ibrahmimaj.

/k.s/j.p/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha