Vlora Hyseni, ish-drejtoresha e Shërbimit Informativ Shtetëror, është nën hetim për korrupsion dhe pastrim parash. Burime për Report Tv kanë konfirmuar se SPAK regjistroi procedimin më 30 tetor. Sipas dokumenteve që Report Tv ka lexuar, Hyseni dyshohet se përfitoi të paktën 500 mijë euro nga Ergys Agasi përmes vëllezërve të saj në Gjermani.
Shënimi i gjetur në zyrën e Agasit
Pikënisja e hetimeve ishte një fletë formati A4 me shënim dore, e gjetur në E.A Tobacco të Ergys Agasit. Në të shënohet shifra 119.162.400 lekë, rreth 1.2 milionë euro.
Hetimet e thelluara të SPAK-ut kanë vërtetuar se shifra e njëjtë, 119.162.400 lekë (pra rreth 1.2 milionë euro), është transferuar drejt kompanisë “Enklo Counstruction”, një shoqëri pa asnjë lidhje me teknologjinë e informacionit. Para kësaj, parat kishin dalë nga “Sinteza Co”, e cila së bashku me “Albascan” kishte fituar një tender të AKSHI-t me vlerë rreth 18 milionë euro.
Rrjedha e parave drejt Gjermanisë
Më pas, “Enklo Counstruction” i ka paguar Ergys Agasit një Range Rover me targa G444A, në shumën 290.000 euro. Të njëjtën kompani e ka dërguar edhe një shumë prej 420 mijë eurosh tek “Fortis Beton” e Orest Sotës, i njohur për lidhjet me Agasin.
“Fortis Beton” ka bërë më pas dy transferta jashtë vendit, nga 250.000 euro secila në mars 2024, drejt kompanisë gjermane Wilhelm & Co Planungsgesellschaft. Arsyetimi i pagesave ishte projektimi arkitektonik i një qendre tregtare rreth 17.000 m² në Tiranë, projekt që nuk është realizuar kurrë.
Në këtë biznes gjerman punon një nga vëllezërit e Hysenit. SPAK thotë se 500 mijë eurot janë nisur si shpërblim nga Agasi për ish-shefen e SHISH-it, dhe se burimi i parave janë lekët e përfituara nga AKSHI.
Një pagesë tjetër prej 450.000 eurosh nga “Fortis Beton” u anulua më 27 shkurt 2024. Ishte nisur drejt kompanisë gjermane Erd & TiefbauDingler GmbH, ku përfaqësues figuron Izet Dingler, vëllai tjetër i Vlora Hysenit.
Deklarimet e Orest Sotës dhe të SPAK-ut
Orest Sota i ka justifikuar këto transferta dhe marrëdhëniet e “Fortis Beton” me shoqëritë gjermane me planin arkitektonik të një pallati që synon ta ndërtojë. Kur u pyet pse ky shënim u gjet në E.A Tobacco, ai ka deklaruar se sugjerimin për shoqërinë gjermane e ka dhënë shoku i tij, Ergys Agasi.
SPAK ka vërtetuar përmes hetimeve se Izet Dingler e ka mbajtur më parë mbiemrin Hyseni. Këtë e kanë pranuar vetë deklarimet e ish-shefes së SHISH-it para prokurorisë, por edhe certifikatat familjare.
Sipas SPAK-ut, Agasi ka përdorur fonde të AKSHI-t për korrupsion ndaj Vlora Hysenit. Prokuroria thotë gjithashtu se anulimi i transfertës së tretë prej 450.000 eurosh nuk e përjashton dyshimin se ajo është shpërblyer nga Agasi për dhënien e informacioneve sekrete të SHISH-it.
Prokuroria shton se këto fakte janë ende në verifikim. Janë dërguar letra porosi për autoritetet në Kosovë dhe në Gjermani, për të marrë më shumë detaje mbi vëllezërit e Hysenit dhe lëvizjet e parave nga kompanitë ku njëri është i punësuar dhe tjetri pronar.
Lajm në përditësim….
Burimi: shqiptarja.com










