Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi më 29 tetor studimin për rishikimin e numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë. Sipas tij, propozohet shtimi i 102 pozicioneve të reja për gjyqtarë, duke e çuar organikën nga 417 që është aktualisht në 519. Studimi parashikon shtimin e 84 vendeve të përhershme operacionale dhe krijimin e 18 vendeve të rezervës funksionale. Gjithashtu, propozohet një kapacitet i përkohshëm prej 9 gjyqtarësh në Gjykatën e Lartë, me kusht që të krijohet baza e nevojshme kushtetuese dhe ligjore.
Propozimi vjen në një kohë kur sistemi i drejtësisë ende përballet me mungesën e dhjetëra gjyqtarëve për shkak të procesit të vetingut. Aktualisht po ushtrojnë detyrën 309 gjyqtarë nga 343 të emëruar, ndërsa 74 vende janë vakante për organikën aktuale prej 417 gjyqtarësh. Nuk është ende e qartë se ku do të gjenden magjistratët e nevojshëm shtesë.
Studimi vlerëson nevojën për rishikimin e numrit të gjyqtarëve për periudhën 2026–2030. Qëllimi, sipas tij, është krijimi i kapaciteteve të nevojshme për të përballuar fluksin e çështjeve të reja, parandaluar krijimin e mëtejshëm të stokut, reduktuar gradualisht çështjet e prapambetura dhe garantuar funksionimin normal të gjykatave në të gjitha nivelet.
Relacioni i publikuar nga KLGJ bazohet në të dhënat kombëtare për personelin dhe ngarkesën gjyqësore gjatë viteve 2023–2025, raportin vjetor të KLGJ-së për vitin 2025, të dhënat e personelit deri në shtator të këtij viti, treguesit e Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ) pranë Këshillit të Evropës, të dhënat demografike të INSTAT-it dhe standardet e KLGJ-së për ngarkesën vjetore të gjyqtarëve.
Projekti sugjeron që plani i plotësimit të dallojë rekrutimin në shkallën e parë nga ngritja në detyrë në apel dhe në Gjykatën e Lartë. Relacioni thekson se, edhe pse ngritja në detyrë plotëson një vend në nivelin më të lartë, krijon njëkohësisht një vakancë në gjykatën nga vjen gjyqtari. “Prandaj çdo procedurë duhet të shoqërohet me analizën e efektit zinxhir”, theksohet në dokument. Sugjerohet që numri i të diplomuarve nga Shkolla e Magjistraturës, kohëzgjatja e procedurave dhe largimet e pritshme të përfshihen në një plan shumëvjeçar të hyrjeve dhe daljeve.
Deri në vitin 2029 pritet të fillojnë punë si gjyqtarë studentët e Shkollës së Magjistraturës të rekrutuar në vitet 2024, 2025 dhe 2026, gjithsej 40 studentë. Emërimi i tyre nuk është i mjaftueshëm për të plotësuar vakancat aktuale, ndërkohë që studimi parashikon edhe shtimin e 102 vendeve të reja.
Rritja e numrit të gjyqtarëve do të shoqërohet edhe me shtimin e personelit jo-gjyqtar, gjithsej 336 vende të reja. Efekti financiar në vitin buxhetor, që nevojitet për mbulimin e shpenzimeve për gjyqtarët e rinj dhe administratën gjyqësore, vlerësohet mbi 1.2 miliardë lekë.
Këshilli i Lartë Gjyqësor fton qytetarët, organizatat e shoqërisë civile, profesionistët e fushës së drejtësisë dhe të gjitha palët e interesuara të kontribuojnë gjatë procesit të konsultimit publik të këtij studimi.
Burimi: www.reporter.al










