Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kosova

Frika e përndjekjes rritet pas kërcënimit të dëbimit të afganëve nga SHBA

Frika e përndjekjes rritet pas kërcënimit të dëbimit të afganëve nga SHBA
Foto: euronews.al

Qeveria afgane i bën thirrje Shteteve të Bashkuara që të veprojnë “me përgjegjësi”, pasi raportohet se Uashingtoni po përgatitet të dëbojë dhjetëra shtetas afganë drejt Pakistanit, ndoshta gjatë ditëve në vijim.

Një zëdhënës tha se çdo shtet ka të drejtë të menaxhojë kufijtë dhe procedurat e imigracionit për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve të vet. Organizata joqeveritare AfghanEvac, me seli në Kaliforni, tha se Qeveria amerikane po përgatitet të dëbojë më shumë se 150 afganë me një fluturim special nga Luiziana.

Fluturimi dhe rrugët e mundshme të dëbimit

Presidenti i organizatës, Shawn VanDiver, tha se aeroplani, ku pritet të jenë edhe dy gra, do të uletë në Islamabad, kryeqytetin e Pakistanit. Ai theksoi se nuk ka informacion nëse Uashingtoni dhe Islamabadi kanë arritur ndonjë marrëveshje për këtë operacion dhe çfarë mund të përmbajë ajo.

Në një deklaratë më 2 nëntor, Ministria e Jashtme e Afganistanit, e udhëhequr nga talibanët, u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të respektojnë “të drejtat dhe aspiratat legjitime” të afganëve që rrezikojnë të dëbohen. Autoritetet talibane thanë gjithashtu se janë gati të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive me Uashingtonin, duke pranuar “realitetet ekzistuese dhe shqetësimet legjitime” të të dyja palëve.

Gazeta The New York Times, duke cituar tre zyrtarë amerikanë, raportoi më 30 tetor se afganët që pritet të dëbohen po mbahen në qendra ndalimi në Luiziana. Agjencia Associated Press publikoi raportime të ngjashme, duke u mbështetur në dokumente gjyqësore.

Meqenëse Shtetet e Bashkuara nuk kanë marrëdhënie zyrtare diplomatike me talibanët, ato nuk mund ta organizojnë drejtpërdrejt kthimin e të ndaluarve në Afganistan. Sipas planit të raportuar, afganët do të dërgoheshin fillimisht në Pakistan, prej nga autoritetet pakistaneze do t’i kthenin në Afganistan.

Talibanët deklaruan se “vendet e treta nuk duhet të bëjnë pazare me fatin e shtetasve të një vendi tjetër, për të siguruar përfitime të përkohshme apo lëshime të kufizuara”.

Tensionet mes Pakistanit dhe talibanëve

Pakistani dhe talibanët afganë, që për dekada ishin aleatë, tani kanë marrëdhënie të tensionuara. Që nga tetori i vitit 2025, forcat e tyre kanë pasur herë pas here përleshje të përgjakshme përgjatë kufirit. Pakistani i akuzon talibanët afganë se strehojnë pjesëtarë të grupit Tehrik-e Taliban Pakistan (TTP), i njohur si talibanët pakistanezë. Autoritetet talibane në Afganistan i mohojnë këto akuza, duke thënë se nuk lejojnë që territori i vendit të përdoret për sulme kundër shteteve të tjera.

Rreziqet për të dëbuarit

Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve paralajmërojnë se afganët që mund të dëbohen nga SHBA-ja rrezikojnë jetën nëse kthehen. Sipas tyre, mes tyre ka edhe familjarë të afganëve që kishin bashkëpunuar me forcat amerikane para tërheqjes së tyre nga Afganistani në vitin 2021.

Organizata humanitare amerikane Refugees International kërkoi që SHBA-ja ta ndalojë këtë fluturim dhe të mos organizojë dëbime të tjera të ngjashme, duke paralajmëruar se të kthyerit mund të përndiqen nga talibanët. Drejtoresha e organizatës, Yael Schacher, tha më 1 nëntor se nuk dihen hollësitë e marrëveshjes së mundshme mes Uashingtonit dhe Islamabadit, por theksoi se afganët pritet të dërgohen fillimisht në Pakistan, vendi që më herët ka dëbuar me forcë një numër të madh shtetasish afganë drejt Afganistanit.

Që nga shtatori i vitit 2023, Pakistani ka dëbuar rreth 2.5 milionë afganë në vendin e tyre, i cili për dekada është përballur me luftëra.

Largimi i afganëve dhe gjendja e të drejtave

Dhjetëra mijëra afganë u larguan nga vendi pasi talibanët morën pushtetin në gusht të vitit 2021. Shumë prej tyre kërkuan strehim në Pakistan, ku mijëra vazhdojnë të presin pranimin në vende të tjera. Disa u larguan nga frika se talibanët mund të hakmerreshin ndaj tyre, ndërsa të tjerë për shkak të kufizimeve ndaj të drejtave themelore, përfshirë arsimin, muzikën dhe lirinë e shprehjes.

Afganistani konsiderohet një nga vendet ku shkelen më rëndë të drejtat e njeriut, veçanërisht ato të grave dhe vajzave. Kombet e Bashkuara paralajmërojnë vazhdimisht se ndalimi i shkollimit të vajzave nga talibanët rrezikon të krijojë një “brez të humbur” pa mundësi arsimimi. Sipas të dhënave që OKB-ja i paraqiti Këshillit të Sigurimit në qershor, rreth 3.8 milionë vajza afgane, të moshës 7 deri 18 vjeç, nuk ndjekin shkollën.

Burimi: euronews.al

Të fundit Të gjitha