Një moment i veçantë familjar ka bërë që Justin Timberlake të rikthehet në vëmendjen e publikut, këtë herë larg skenës dhe krah tre prej njerëzve më të dashur për të. Këngëtari është shfaqur në pasarelë me dy djemtë e tij, Silas dhe Phineas, si dhe me mbesën Zaya, në një aktivitet që kishte në qendër mbështetjen për personat me sindromën Down.
Sfilata në Denver
Familja u bë pjesë e sfilatës së 19-të “Be Beautiful Be Yourself”, organizuar nga Global Down Syndrome Foundation në Denver të Kolorados. Në vend të një performance muzikore, Timberlake dhuroi një paraqitje plot emocione, duke shoqëruar Zayan në pasarelë së bashku me dy djemtë e tij.
E veshur me një fustan të fryrë me pika dhe fjongo, vogëlushja parakaloi mes xhaxhait dhe kushëririt të saj të madh, Silas, ndërsa Phineas qëndronte në krahun tjetër të të atit. Në disa prej momenteve të publikuara në rrjetet sociale, Justin shihet duke e ngritur Zayan në krahë, ndërsa të katërt përshëndesin publikun dhe ndajnë edhe disa hapa kërcimi.

Djemtë e rrallë në publik
Ajo që e bëri edhe më të veçantë këtë paraqitje ishte prania e dy djemve të këngëtarit, të cilët shfaqen shumë rrallë në publik. Silas, 11 vjeç, dhe Phineas, 6 vjeç, u koordinuan me të atin në veshje të zeza, duke tërhequr vëmendjen edhe për ngjashmërinë me të.
“Ecëm me mbesën time të mrekullueshme Zaya në pasarelën e @globaldownsyndrome mbrëmjen e kaluar. Xhaxhai krenar!”, shkroi Justin në Instagram, duke ndarë një prej momenteve të eventit.

Një kauzë e përbashkët familjare
Për familjen Timberlake, kjo kauzë nuk është aspak e panjohur. Vitin e kaluar, në të njëjtën sfilatë, ishte Jessica Biel ajo që shoqëroi mbesën e saj në pasarelë. Këtë herë, aktorja nuk mundi të ishte e pranishme për shkak të angazhimeve në xhirime, por nuk e fshehu krenarinë për Zayan, duke rishpërndarë fotografitë e saj dhe duke i dedikuar disa fjalë të veçanta.
“Jessica dhe unë e adhurojmë Zayan dhe nuk mund të ishim më krenarë për ndryshimin e jashtëzakonshëm që ajo po sjell në botë”, u shpreh këngëtari, duke theksuar se mbështetja për personat me sindromën Down është një kauzë me rëndësi të veçantë për familjen e tyre.
Burimi: bordo.al









