Sot u zhvillua grumbullimi për dy ndeshjet përmbyllëse të Ligës së Kombeve, në të cilat Shqipëria do të përballet me Finlandën dhe Bjellorusinë. Sfida e parë, më 12 nëntor, do të luhet në „Arena Kombëtare”, ndërsa ajo e tri ditëve më pas, ndaj bjellorusëve, do të zhvillohet në fushë asnjanëse, pa tifozë, në Hungari.
Konferenca për shtyp e lojtarëve kuqezinj
Në konferencën për shtyp dolën dy lojtarë kuqezinj, portieri Etrit Berisha dhe mesfushori Julian Shehu. Portieri veteran iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.
Ndaj Finlandës është ndeshje për revansh, si e sheh gjendjen e skuadrës?
Nuk duhet ta marrim si revansh, secila ndeshje ka historikun e vet. Duhet të fokusohemi tek ekipi që kemi. Me këtë rast i ftoj të gjithë tifozët të na përkrahin. E rëndësishme është t’i kemi tifozët afër. Të shkojmë përpara dhe të mbyllim në vendin e parë.
Nga Finlanda te Finlanda, a ndjen përgjegjësi?
Gjërat që kanë ndodhur tani nuk mund të kthehen prapa. Ishte një moment ku edhe rrjedha e lojës ndryshoi. Ishte edhe pak fatkeqësi. Pësimi i golit e bëri më të vështirë gjithçka. E kemi kaluar atë moment. Gjithçka është në dorën tonë. Ekipi do të paraqitet mirë sepse dëshira është e madhe.
Në ekipin tuaj nuk keni pësuar gol disa ndeshje…
Faktikisht kanë qenë më shumë se 5 lojëra. Ka qenë një moment shumë i mirë, që e kam përjetuar për një muaj. Gjithsesi, dua ta vazhdoj këtë edhe me kombëtaren. Për ne është me rëndësi kjo ndeshje e radhës.
Krahasimi me Finlandën
Çfarë kemi më shumë se Finlanda?
Kemi lojtarë më kualitativë. Ata kanë lojtarë me eksperiencë. Nuk duhet ta nënvlerësojmë Finlandën. E kemi parë edhe në ndeshjen e fundit dhe kemi marrë një mësim shumë të mirë. Me San Marinon, për shembull, kuptuam se nuk duhet nënvlerësuar asnjë kundërshtar. Do të luajmë në shtëpi dhe dëshira është të dalim sa më mirë.
Për Caprile, çfarë mendoni?
Nuk kam ndonjë informacion për këtë çështje.
Burimi: telesport.al










