Paraqitja fantastike e Marcus Thuram ndaj Comos ka marrë vlerësime të shumta, madje edhe nga kapiteni i tij, Lautaro Martinez, i cili e ndoqi ndeshjen nga tribuna për shkak të dëmtimit. Sulmuesi argjentinas nuk e fshehu admirimin për partnerin e tij të repartit ofensiv, duke komentuar në rrjetet sociale në postimin e Thuram me tri emoji, përmes të cilave vlerësoi formën dhe paraqitjen e jashtëzakonshme të francezit.
Përgjegjësi më e madhe në sulm
Në mungesë të Lautaros, Thuram ka marrë përsipër më shumë përgjegjësi në sulmin zikaltër. Përballja me Comon ishte ndeshja e nëntë radhazi si titullar për të në kampionat dhe Champions League. Që nga një periudhë ndërkombëtare te tjetra, francezi nuk e ka nisur asnjë ndeshje nga stoli.
Bilanci i tij është mbresëlënës: gjashtë gola, me të fundit të realizuar pikërisht ndaj skuadrës së drejtuar nga Cesc Fabregas. Por kontributi i Thuram nuk kufizohet vetëm te golat dhe katër asistimet e regjistruara. Ai është vazhdimisht në lëvizje, krijon hapësira për shokët e skuadrës, i jep thellësi lojës dhe bëhet tepër i rrezikshëm sa herë përballet me mbrojtësit kundërshtarë.
Vlerësimi i trajnerit
Vlerësime të veçanta për të pati edhe trajneri Cristian Chivu, i cili pas ndeshjes në San Siro theksoi rëndësinë dhe pjekurinë që ka fituar sulmuesi francez.
“Thuram ka arritur një status dhe një nivel që mund të vihet në dyshim vetëm në Itali. Ai luan për kombëtaren franceze dhe i ka treguar të gjithëve cilësitë e tij. Ka ende hapësirë për përmirësim, po shfaq gjithnjë e më shumë lidership dhe nuk e bën të ndjehet mungesa e Lautaros”, deklaroi Chivu.
Statistikat e momentit
Statistikat konfirmojnë momentin e shkëlqyer të 28-vjeçarit. Thuram ka shënuar pesë gola në katër përballje kampionati kundër Comos. Në Serie A, vetëm ndaj Torinos ka një bilanc më të mirë, me shtatë gola në pesë ndeshje. Po pesë gola ka realizuar edhe ndaj Parmës.
Ndërkohë, gjatë vitit kalendarik 2026, sulmuesi ka marrë pjesë në 22 gola në 27 paraqitje në kampionat, duke regjistruar 15 realizime dhe shtatë asistime.
Burimi: kohajone.com









