Gjiganti amerikan i teknologjisë Nvidia ka nisur një hetim të brendshëm pas raportimeve se drejtori ekzekutiv, Jensen Huang, ka pasur një marrëdhënie intime me një biznesmene të dyshuar si spiune kineze.
Sipas një artikulli të publikuar nga The New York Times, i cili citon zyrtarë të inteligjencës amerikane, biznesmenia Alice Huang dyshohet se ka mbledhur informacione për llogari të Pekinit. Ajo është shtetase kineze dhe më parë ka punuar si gazetare televizive në Kinë, përpara se të merrte një pozicion drejtues në kompaninë Megaspeed, me seli në Singapor.
Kjo e fundit është kthyer në një nga klientët më të mëdhenj të Nvidia-s në Azinë Juglindore, duke blerë çipa me vlerë mbi 4.8 miliardë dollarë gjatë dy viteve të fundit, sipas raportimit të gazetës amerikane.
Pranimi i drejtorit ekzekutiv
Ndërkohë, Jensen Huang ka pranuar përpara bordit të kompanisë se ka qenë intim me një drejtuese biznesi, për të cilën inteligjenca amerikane dyshonte se mblidhte informacione për Pekinin. Ai ka pranuar gjithashtu se ka qenë i pabesë ndaj bashkëshortes dhe ka kërkuar falje publike për pasojat që veprimet e tij kanë shkaktuar në familje.
“Kam qenë i pabesë ndaj bashkëshortes sime. Veprimet e mia e kanë lënduar atë dhe fëmijët tanë. Nuk ka asnjë justifikim për atë që kam bërë. Më vjen jashtëzakonisht keq”, është shprehur Huang, sipas The New York Times.
Gjendja e hetimit
Nga ana tjetër, bordi i Nvidia-s ka deklaruar se deri më tani nuk ka arsye të besojë se janë komprometuar sekretet tregtare të kompanisë apo siguria kombëtare e Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, hetimi do të shqyrtojë të gjitha informacionet e disponueshme për të sqaruar rrethanat e kësaj çështjeje.
Huang, 63 vjeç, do të vijojë të mbajë detyrën e drejtorit ekzekutiv gjatë zhvillimit të hetimit. Kompania ka bërë të ditur se ai e mbështet plotësisht procesin dhe është zotuar të bashkëpunojë me të.
Burimi: bordo.al










