Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Gjermania zgjeron kompetencat e shërbimeve sekrete kundër kërcënimeve të huaja

Gjermania zgjeron kompetencat e shërbimeve sekrete kundër kërcënimeve të huaja
Foto: euronews.al

Shërbimet e brendshme dhe të jashtme të inteligjencës në Gjermani do të kenë më shumë pushtet për të luftuar spiunazhin, terrorizmin dhe aktet e sabotimit, pasi Parlamenti i vendit miratoi me shumicë dërrmuese ndryshimin e legjislacionit.

Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, që promovoi draftin, e ka quajtur atë reformën e shekullit, duke e konsideruar një domosdoshmëri përballë rritjes së kërcënimeve nga fuqitë e huaja.

Kompetencat e reja për agjencitë

Ligji u jep kompetenca të reja dy agjencive të spiunazhit: asaj për jashtë, BND, dhe asaj të brendshme, BfV, ose Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës.

Në Bundestag, 309 ligjvënës votuan pro ligjit të ri, ndërsa 190 votuan kundër dhe 71 të tjerë abstenuan.

Për motive historike, shërbimet sekrete gjermane kanë qenë kryesisht të fokusuara në mbledhjen e informacionit, më pak në ekzekutimin e tij.

Operacionet jashtë vendit dhe mbrojtja e brendshme

Në të ardhmen, agjentët gjermanë të shërbimit BND do të mund të kryejnë operacione të fshehta jashtë vendit, përfshirë akte sabotimi.

Kjo përfshin paralizimin e serverëve të grupeve të hakerave të mbështetura nga shtetet armike, shkatërrimin e rrjeteve të informacionit, si dhe pengimin e zinxhirëve të furnizimit me armë.

Agjentët e shërbimit BfV nuk do të kufizohen më te mbledhja e informacionit, por, për herë të parë, do të mund të ndërmarrin veprime mbrojtëse ndaj pronave apo sistemeve elektronike, nëse konstatohen kërcënime.

Burimi: euronews.al

Të fundit Të gjitha