Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Aktualitet

Autoambulanca prishet, pacientët nga Belshi bëjnë dializën me 3 mjete

Autoambulanca prishet, pacientët nga Belshi bëjnë dializën me 3 mjete
Foto: lajmifundit.al

Fiks Fare udhëtoi në fshatin Shegas të Belshit, pas ankesës së disa pacientëve që bëjnë dializën. Për disa muaj, ata kanë udhëtuar me mjete të rastit drejt Spitalit Rajonal të Elbasanit, sepse autoambulanca me të cilën udhëtonin ishte prishur. Shteti u rimburson pacientëve 5 mijë lekë pagesë bilete në muaj, por kjo shumë mundëson vetëm një udhëtim vajtje-ardhje nga fshatrat ku banojnë.

Bashkia e Belshit u kishte ardhur në ndihmë me një autoambulancë. Por prej dy muajsh mjeti është në servis, pasi ka prishur motorin. Disa herë, pacientët kanë paguar nga xhepi i tyre për rregullimin e mjetit. Grupi i Fiks Fare e ndoqi situatën në fshat. Në orën 06.00 grupi shkoi në banesën e Bedriut dhe të disa pacientëve të tjerë nga zona e Belshit, të cilët nisen për të bërë dializën në Spitalin Rajonal të Elbasanit.

Udhëtimi i pacientëve

Bedriu thotë se vuan nga një sërë sëmundjesh. Ka bërë operacion në zemër, vuan nga diabeti dhe prej tre vitesh ka probleme me veshkën, për çka duhet të bëjë dializë tri herë në javë në Elbasan. Ai thotë se prej më shumë se dy muajsh janë torturuar fizikisht dhe shkatërruar ekonomikisht, sepse autoambulanca që përdornin për dializën është prishur. Bedriu pohon se Bashkia e Belshit kishte vënë një mjet në shërbimin e tyre, pasi janë rreth 10 pacientë nga Belshi. Mjeti i merrte në banesë, i çonte në Elbasan dhe i kthente.

Mjetin, shoferin, karburantin dhe servisin i mbulon Bashkia e Belshit, jo Qendra Shëndetësore Belsh, Spitali Rajonal i Elbasanit apo Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore, një institucion shtetëror i krijuar pas përfundimit të afatit të koncesionit të hemodializës.

Autoambulanca prishet, pacientët nga Belshi bëjnë dializën me 3 mjete

Tani pacientët marrin taksi, që kushton 4 mijë lekë vajtje-ardhje. “Dhe 4 mijë lekë me mik e me shok, sepse jemi shumë larg, dhe taksisti duhet të qëndrojë nga ora 6 që na merr deri në 12, kur mbarojmë dializën. Mund të kemi edhe ndonjë tension pas dializës dhe duhet të qëndrojmë akoma më shumë”, pohon Bedriu.

Më pas, Bedriu hipi në automjet bashkë me bashkëshorten dhe u nisën për në një fshat tjetër të Belshit. Taksia rrugës mori një pacient tjetër, i cili gjithashtu shoqërohet nga bashkëshortja. Ky pacient është 77 vjeç dhe ka probleme me dëgjimin. Gruaja e tij thotë se paratë e pensionit nuk u mjaftojnë për taksi, e aq më pak për ushqim e ilaçe. “Mbijetojmë”, thotë ajo.

Ekipi i shoqëroi deri në Spitalin e Elbasanit, ku rruga zgjati plot një orë. Pacientët u futën në dializë në orën 07.00. Grupi pret deri në fund të dializës, që përfundon rreth orës 12.00. Pas përfundimit, pacientë të tjerë nga Belshi tregojnë se vijnë me mjete të rastit për të bërë dializën.

“Marrim nga dy ose tre mjete. Nga fshati deri në Belsh. Nga Belshi me furgon deri në terminalin në Elbasan. Në Elbasan me autobus deri në spital. E njëjta gjë në kthim”, thotë një pacient. Një tjetër thotë se vjen me vajzën e një paciente tjetër. “I japim pagesën çdo ditë. U grimë nga lekët. Ambulanca në servis dy muaj. Kemi vënë edhe lekë vetë për ta rregulluar. Tani na thonë se ka motorin për ta bërë”, thotë ai. Pastaj hipin në mjete për të bërë të njëjtën rrugë në kthim.

Autoambulanca prishet, pacientët nga Belshi bëjnë dializën me 3 mjete

Përgjigja e Bashkisë

Fiks Fare shkoi edhe në Bashkinë e Belshit për të pyetur se çfarë po bëhet me autoambulancën. Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë Belsh, Alban Nipolli, thotë se megjithëse nuk u takon atyre ta bëjnë këtë shërbim, kanë ardhur sërish në ndihmë të banorëve. “Na dhuruan dy autoambulanca. Një ia kaluam spitalit dhe një e mbajtëm vetë. Këtë që mbajtëm vetë e përdorëm për pacientët e dializës. Është prishur prej dy muajsh. E kemi çuar në servisin privat që rregullon mjetet e bashkisë, por ka probleme me motorin. Është mjet i vitit 2009. Presim ta rregullojmë dhe ta vëmë sërish në dispozicion të pacientëve”, thotë Nipolli.

Dy realitete të ndryshme lidhur me dializën. Nga njëra anë, peripecitë dhe mbijetesa e pacientëve. Nga ana tjetër, abuzimet me shërbimin jetik, që kanë kushtuar dhjetëra miliona euro, nga ish-firmat koncesionare apo nga Operatori Shtetëror që e ka aktualisht. Pagesa prej 5 mijë lekësh për një pacient për udhëtimin është vetëm një lëmoshë. Fiks Fare bën një apel për të gjithë: çdo firmë apo individ që ka një motor të mjetit Fiat të vitit 2009 duhet ta ndihmojë Bashkinë e Belshit, për t’u ardhur në ndihmë këtyre pacientëve.

Burimi: lajmifundit.al

Të fundit Të gjitha