Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Showbiz

Brad Pitt i lutet regjisorit për rolin e armikut të 007

Brad Pitt i lutet regjisorit për rolin e armikut të 007
Foto: shqiptarja.com

Brad Pitt kërkon t’ia bëjë jetën ferr James Bondit të ri, Robert Pattinson-it, dhe për këtë i ka dërguar një mesazh regjisorit Denis Villeneuve. Por rolin e të keqit ende nuk e ka në xhep: mes emrave që përmenden është edhe Cillian Murphy.

Brad Pitt e ka ndarë mendjen se çfarë do të donte të bënte në filmin e ardhshëm të James Bondit: të luante të keqin, atë që thur plane për të shkatërruar botën dhe i bën jetën ferr agjentit 007. Përballë do të kishte Robert Pattinson-in, ish-vampirin bukurosh me flokët e shpurpurisur të sagës “Twilight”, që pas pelerinës së Batmanit do të veshë smokingun e agjentit 007.

Gjatë promovimit të filmit “The Further Mis-Adventures of Cliff Booth”, Pitt u vetëofrua, duke kërkuar me humor që dikush t’i telefononte regjisorit Denis Villeneuve.

“Më merr mua për rolin e të keqit. Dikush të marrë Villeneuve-n në telefon.”

Pitt i ka provuar edhe më parë rolet e burrave që pas pamjes joshëse fshehin një anë të dhunshme. Në filmin “Fight Club” ishte Tyler Durden, që organizonte përleshje të fshehta e të dhunshme, ndërsa në “Once Upon a Time in Hollywood” të Quentin Tarantinos luante një dublant të heshtur, por të pamëshirshëm kur vinte puna te dhuna. Ky rol i fundit i solli edhe Oscar-in.

Aktori përmendi edhe mikun e tij Javier Bardem, Raoul Silvën me flokë të zbehta te filmi “Skyfall”. Fansat vështirë e kanë harruar hyrjen e tij në skenë, me rrëfimin e qetë për minjtë, përpara se t’i afrohej Bondit të lidhur në karrige. Bardem i dha sagës 007 një kundërshtar që nuk kishte nevojë të ngrinte zërin për të frikësuar.

Megjithatë, siç thotë populli, nga e thëna në të bërë ka shumë rrugë. Pitt e ka shprehur dëshirën, por rolin ende nuk e ka në xhep. Madje, në parashikimet e platformës “Kalshi” kryeson Cillian Murphy, aktori që fitoi Oscar-in duke luajtur “babain e bombës atomike” në filmin “Oppenheimer”. Pas tij renditen Barry Keoghan dhe Idris Elba.

Për Elbën ky rol do të ishte një kthesë më vete: emri i tij është diskutuar prej vitesh për të veshur kostumin e agjentit, që koktejin e tij të preferuar, martinin, e kërkon të përgatitur duke e tundur me akull në shaker, jo duke e përzier me lugë.

Në listë për rolin e të keqit janë edhe Peter Dinklage, Tyrion Lannister i “Game of Thrones”, dhe Adam Driver, që fansat e “Star Wars” e njohin si Kylo Ren.

Edhe për gruan që do t’i rrëmbejë zemrën Bondit, ose do ta fusë në kurth, emrat janë të shumtë.

Revista “Variety” ka renditur 19 aktore të mundshme, nga Zendaya dhe Florence Pugh te Margot Robbie, Sydney Sweeney dhe Anya Taylor-Joy. Në listë janë edhe Emily Blunt, Marion Cotillard, Lupita Nyong’o, Margaret Qualley dhe Hunter Schafer. Kjo e fundit, nëse përzgjidhet, mund të bëhet vajza e parë transgjinore e Bondit.

Kaq shumë opsione në mendjen e Villeneuve, regjisorit të “Dune”, dhe drejtoreshës së kastit Nina Gold, për të cilët zgjedhja e vetë Bondit pati të papriturat e saj.

Sipas gazetarit Matheë Belloni, një nga të preferuarit e regjisorit ishte Josh O’Connor, Princi Charles i “The Crown”. Por aktori u tërhoq, i shqetësuar nga ekspozimi mediatik, presioni i famës dhe angazhimi shumëvjeçar që kërkon roli.

Kështu, rruga iu hap Pattinsonit, i cili e di mirë çfarë do të thotë të mos të lënë fansat rehat. Roli i vampirit të dashuruar Edward Cullen në “Twilight” e bëri idhull të miliona adoleshentëve, me paparacët që e ndiqnin në çdo hap.

Tani smokingu i Bondit do t’i sigurojë një vend përkrah Sean Connery-t, Pierce Brosnan-it dhe Daniel Craig-ut në një histori fantastike kinemaje që argëton njerëzit prej më shumë se gjashtë dekadash.

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha