Nga Dori Xhima
Aksidentet rrugore vazhdojnë të marrin jetë në Shqipëri, edhe pse masat ndëshkuese ashpërsohen çdo ditë deri në absurd. Këto masa të ashpra shpesh i ngjajnë një suvatimi mbi mur të kalbur, derisa shteti të kalojë nga logjika e gjobitjes vetëm për të mbledhur para, te kujdesi real për rrugët dhe për jetën.
Rrugët dhe projektimi i tyre
Shumë akse rrugore në Shqipëri, megjithëse kanë kushtuar shumë, janë të projektuara dobët ose vuajnë nga defekte kronike që favorizojnë aksidentet, pavarësisht sa ngadalë apo shpejt ecën shoferi. Këto mangësi bëjnë që çdo gabim i vogël i shoferit të kthehet në tragjedi.
Stresi social dhe kultura e nxitimit
Mënyra e jetesës dhe psikologjia e shoqërisë sonë reflektohen drejtpërdrejt në timon. Agresiviteti në rrugë, trafiku i rënduar, stresi ekonomik, mungesa e qetësisë dhe nevoja për të treguar status social përmes shpejtësisë apo makinës krijojnë një atmosferë lufte mbi asfalt.
Ndikon padyshim edhe korrupsioni, që nuk na ndahet. Një masë ashpërsimi dështon kur vetë sistemi që lejon drejtuesit e mjeteve në rrugë është i kalbur. Nëse lejet e drejtimit mund të sigurohen përmes korrupsionit pa kaluar në një filtër real aftësie, dhe nëse automjetet e pasigurta kalojnë kolaudimin me “miqësi”, atëherë rrugët do të mbushen me drejtues të papërgatitur dhe makina defektoze, pavarësisht sa gjoba shkruhen në letër.
Ligji bëhet absurd dhe humbet kuptimin kur qytetari i thjeshtë sheh se ai nuk zbatohet njëlloj për të gjithë. Një pjesë e shoqërisë beson se shkelësit recidivistë, personat me pushtet apo automjetet e shtrenjta i shmangen gjobave apo ndëshkimeve përmes njohjeve. Kur ndjejmë se ligji është “vetëm për ne”, ndërsa të tjerët janë mbi të, morali i respektimit të rregullave bie në zero.
Kështu është krijuar, ditë pas dite, kjo krizë e thellë besimi që kemi sot ndaj institucioneve dhe ndaj njëri-tjetrit.
https://gazetadita.al/wp-content/uploads/2026/11/VID-20261118-WA0010.mp4
DITA
Burimi: gazetadita.al










