Në Kuvend po vijojnë diskutimet për projektbuxhetin 2027. Ministri i Financave, Petrit Malaj, po i përgjigjet pyetjeve të opozitës.
Gjatë fjalës së tij, ministri Malaj tha, mes të tjerash, se ulja e pragut të TVSH-së nga 10 milionë lekë të reja në 5 milionë lekë të reja bazohet edhe në kërkesën e organizmave ndërkombëtare, konkretisht FMN-së.
Sipas Malajt, fermerët nuk do të preken nga ndryshimi i pragut të TVSH-së. Ministri shtoi gjithashtu se dividenti do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027.
“Ulja e TVSH-së për 54 produkte të shportës, është një nismë që ju vjen në ndihmë të gjithë qytetarëve me të ardhura të ulëta e të mesme. Ndërkohë në lidhje me pyetjen për pragun e TVSH-së dhe uljes së saj nga 10 milionë në 5 milionë, vjen si rezultat i kërkesave të vazhdueshme nga organizmat ndërkombëtarë dhe konkretisht FMN-së. Pragu ishte ndër më të lartët në Europë. Fermerët nuk do të preken nga ndryshimi i pragut të TVSH-së. Do të përjashtohen nga pjesa e uljes së këtij pragu. Çështja e pragut rregullohet me VKM”, tha mes të tjerash Malaj.
Buxheti i vitit të ardhshëm arrin vlerën 10 miliardë lekë. Pasi të miratohet në parim në Kuvend, buxheti kthehet në komision për shqyrtim nen për nen, para se të kalojë përsëri në Parlament për miratimin në tërësi.
Lajmi në përditësim….
Ministri Malaj prezanton projektbuxhetin dhe paketën fiskale 2027 në Kuvend: Rrisim me 20 mijë lekë të reja pagat e policëve, shtojmë financimin për kërkimin shkencor dhe mbrojtjen
Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka prezantuar në Kuvend buxhetin dhe paketën fiskale 2027, duke renditur shtyllat kryesore mbi të cilat ai bazohet: ‘mirëqenia sociale’, ‘stabiliteti fiskal dhe financat publike të qëndrueshme’, si dhe ‘investimet, reformat dhe proceset integruese në BE’.
Duke e cilësuar projektbuxhetin 2027 si historik, Malaj tha se mbështetja financiare rritet në të gjithë sektorët me rëndësi për qytetarët, si mbrojtja sociale, investimet në arsim dhe shëndetësi, si dhe mbështetja më e madhe për bujqësinë, mbrojtjen dhe sigurinë.
Malaj tha gjithashtu se Qeveria parashikon dyfishimin e bonusit mujor të pensionistëve, financim shtesë për kërkimin shkencor, rritje të mbështetjes për bujqësinë, rritjen me 20 mijë lekë të reja të pagave të punonjësve të Policisë, rritjen e mbështetjes për mbrojtjen dhe zhvendosjen e taksës së qarkullimit nga karburantet te taksat e mjetit.
Për paketën fiskale, Malaj tha se ajo i vjen në ndihmë shumicës së shqiptarëve dhe familjeve më në nevojë.
“Një buxhet historik me mbi 10 miliardë euro shpenzime publike, të parashikuara përgjatë vitit të ardhshëm. Kemi më shumë mbështetje për bujqësinë, për arsimin, për mbrojtjen dhe sigurinë e vendit. Ky projektbuxhet qëndron mbi 3 shtylla të forta. E para ka të bëjë me mirëqenien sociale, e dyta me stabilitetin fiskal dhe financat publike të qëndrueshme, e treta me investimet, reformat dhe proceset integruese në BE. Ekonomia parashikohet të rritet me 4%. Papunësia në tremujorin e dytë zbriti në 8.3%, niveli më i ulët historik. Paga mesatare ka arritur në 967 euro, ose 9.3% më e lartë se e njëjta periudhë e vitit 2025. Për pensionistët parashikojmë dyfishimin e bonusit mujor.
Do të ketë financim shtesë për kërkimin shkencor. Shëndetësia mbetet një tjetër prioritet i rëndësishëm i financimit publik, me synimin për të përmirësuar aksesin e shërbimeve dhe për pacientët.
Siguria dhe rendi mbeten gjithashtu pjesë e rëndësishme e prioriteteve tona. Për këto arsye buxheti 2027 siguron fondet e nevojshme për forcimin e këtyre sektorëve dhe rritjen e pagave të policëve. Për 8500 punonjës do të rritet paga bazë me 200 mijë lekë të vjetra ose 20 mijë lekë të reja. Kategoritë e tjera brenda piramidës së pagave në strukturën e Policisë do të përfitojnë shtesa pagash nga 10 mijë lekë të reja deri në 15 mijë lekë të reja, në varësi të gradave.
Bujqësia mbetet gjithashtu një sektor i rëndësishëm për ekonominë dhe zhvillimin e zonave rurale. Buxheti parashikohet në masën 17.9 miliardë lekë. Synojmë të rrisim numrin e përfituesve, ku kemi parashikuar që për vitin 2027 të përfitojnë 43 mijë e 660 fermerë. Shpenzimet për mbrojtjen do të arrijnë në masën 2.35%.
Paketa fiskale 2027 përbëhet nga 5 projektligje. Ajo synon të lehtësojë barrën për individët, duke vendosur barazi fiskale dhe duke garantuar një shpërndarje më të drejtë të të ardhurave. Pjesë e paketës është edhe zhvendosja e taksës së qarkullimit nga karburantet te taksat e mjetit. Ky projektbuxhet dhe kjo paketë fiskale mbështeten në një parim të thjeshtë: drejtësia sociale dhe qëndrueshmëria fiskale nuk janë kundërshtarë të njëra-tjetrës. Përkundrazi, ato janë kushtet që e bëjnë zhvillimin ekonomik të vendit më të qëndrueshëm”, tha mes të tjerash Malaj.
Kuvend/ Sara Mila i replikon Berishës: Më thotë të dorëzoj mandatin, ndërkohë që e thërret shpirti i 26 të vrarëve në Gërdec dhe i 4 viktimave në 21 Janar
Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, nga foltorja e Kuvendit i replikoi kreut të PD-së, Sali Berishës, për deklaratat e këtij të fundit lidhur me mandatin e saj. Ndërsa Berisha i thotë të dorëzojë mandatin, Mila sjell në vëmendje viktimat e 21 Janarit, masakrën e Gërdecit dhe të vrarët e vitit 1997.
“Ai me të cilin e kisha replikën u largua në fakt, por jam e sigurt që do ia dërgojë qytetarit dixhital përgjigjen, kështu që gjithsesi po e jap. E ka komentuar mandatin tim që pa ardhur unë në këtë parlament, vazhdon ta përgojojë mandatin tim edhe në ecejaket që bën në oborrin e SPAK-ut, të cilin ai vetë e shan dhe nuk e konsideron. Madje më kishte bërë nga atje edhe një thirrje që ta dorëzoja mandatin.
Do ishte mirë në fakt që këtë standard ta kishte vendosur së pari zoti Berisha, dhe kush e di sa mirë do ishte Shqipëria nëse zoti Berisha do ta kishte vendosur të parin standardin e dorëzimit të mandatit. “Dorëzo mandatin” më thotë mua, ndërkohë që e thërret shpirti i 26 të vrarëve në Gërdec, i katër të vrarëve në bulevard në 21 janar dhe kush e di sa qindra të vrarëve në ’97-ën. “Dorëzo mandatin” më thotë mua, ndërkohë.
Lidhur me paraqitjen e saj në SPAK, Mila tha se ishte thirrur në cilësinë e personit në dijeni. Sipas saj, Berisha po nxit një fushatë sulmesh dhe shpërndarje informacionesh të pavërteta për të.
“Zotëri, meqenëse ju pëlqejnë ecejakët në organet e drejtësisë, merrni informacionet mirë. Merrni informacionin saktë se si jam thirrur unë si person në dijeni në dyert e SPAK dhe mos nxitni as 101 dalmatët, të cilët më keni vërsulur që ditën e parë të këtij mandati duke shpërndarë gënjeshtra, siç e dini më së miri ta bëni. Unë nuk i kam ditur në politikë sa mëkate keni ju, por për këto do të vendosë drejtësia, historia dhe më së shumti Perëndia”, tha ajo.
Projektbuxheti 2027/ Ministri Malaj në Kuvend: Ulja në 5 milionë lekë të reja e pragut të TVSH-së vjen si rezultat i kërkesave të FMN-së, fermerët s’do preken! (VIDEO)
Ministri i Financave, Petrit Malaj, shprehet se ulja në 6% e TVSH-së për 54 produkte të shportës është një nismë që i vjen në ndihmë gjithë shqiptarëve me të ardhura të ulëta e të mesme.
Nga Kuvendi, ku u përgjigj pyetjeve të deputetëve, Malaj tha se ulja e pragut të TVSH-së nga 10 milionë lekë të reja në 5 milionë lekë të reja bazohet edhe në kërkesën e organizmave ndërkombëtare, konkretisht FMN-së.
Sipas Malajt, fermerët nuk do të preken nga ndryshimi i pragut të TVSH-së. Ministri shtoi se dividenti do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027.
Malaj theksoi gjithashtu se paketa fiskale 2027 është konsultuar me Këshillin Tatimor, anëtarët e të cilit janë përfaqësues të dhomave të tregtisë dhe grupeve të interesit.
“Në lidhje me pyetjet e Shehajt. Ulja e TVSH-së për 54 produkte të shportës, është një nismë që ju vjen në ndihmë të gjithë qytetarëve me të ardhura të ulëta e të mesme. Ndërkohë në lidhje me pyetjen për pragun e TVSH-së dhe uljes së saj nga 10 milionë në 5 milionë, vjen si rezultat i kërkesave të vazhdueshme nga organizmat ndërkombëtarë dhe konkretisht FMN-së. Pragu ishte ndër më të lartët në Evropë. Pragu i TVSH-së nga viti 1996 e deri më sot ka ndryshuar 8 herë. Çështja e pragut të TVSH-së është një çështje e trajtuar prej vitesh.
Në lidhje me pyetjet e Tabakut, përsa i përket çështjes së konsultimit publik të kësaj pakete fiskale, ajo është bërë me Këshillin Tatimor, anëtarët e të cilit janë përfaqësues të dhomave të tregtisë dhe grupeve të interesit. Lidhur me çështjen e dividentit se kur hyn në fuqi, ai hyn më 1 janar 2027. Çdo vendim për shpërndarje të fitimeve të pashpërndara pas datës 1 janar 2027 do të trajtohet me normën e dividentit 15%, ndërsa çdo vendim deri në dhjetor do të trajtohet me 8%. Fermerët nuk do të preken nga ndryshimi i pragut të TVSH-së. Do të përjashtohen nga pjesa e uljes së këtij pragu. Çështja e pragut rregullohet me VKM. Përsa i përket rindërtimit, për vitin 2027 janë planifikuar 2 miliardë lekë, më pak se vitin e kaluar, pasi kemi 7.4 miliardë lekë fonde të trashëguara nga vitet e kaluara. Rindërtimi është një proces që po ecën përpara, por varet nga qeveria vendore dhe jo nga ajo qendrore”, tha mes të tjerash Malaj.
Paketa fiskale 2027/ Tabaku nga Kuvendi: Hera e parë që biznesi e ka refuzuar zbatimin e saj në bllok, është e pakonsultuar (VIDEO)
Deputetja demokrate Jorida Tabaku shprehet se për paketën fiskale 2027 nuk ka pasur asnjë konsultim me bizneset.
Nga salla e Kuvendit, Tabaku theksoi se është hera e parë që biznesi ka refuzuar në bllok pranimin e zbatimit të kësaj pakete.
“Paketa s’ka asnjë konsultim me biznesin. Është hera e parë që biznesi ka ardhur në bllok dhe ka refuzuar të pranojë zbatimin e një pakete që ka dalë brenda natës nga zyrat e nuk e di se kujt. Sepse ju keni premtuar që nuk do të ndryshojnë taksat. Kemi nevojë të sqarojmë sa ka shkuar fondi total i rindërtimit. Çfarë po ndodh me rindërtimin? Sapo dëgjuam pak më parë se Tirana është pa kokë. Por kush e ka fajin që Tirana është pa kokë? Se po të vjedhësh, sigurisht që pa kokë do jesh, ashtu siç do shkojnë të gjithë në burg”, tha Tabaku.
Korreshi në Kuvend: Po e trajtojmë punën e buxhetit si asamblenë e partisë tuaj (VIDEO)
Diskutimi i ‘buxhetit 2027’ nuk po trajtohet si duhet, sipas deputetit demokrat Saimir Korreshi.
“Punë buxhetesh është, kjo e trajtojmë si asamblenë e partisë tuaj. Doja ta pyesja për kanalet, vaditjet, po nuk e kemi Karakaçin këtu.
Po për mbetjet urbane. Nuk kemi infrastrukturën elektrike, po i zë korrenti njerëzit çdo ditë. Ka nevojë spitali i Lushnjës për rregullim. 400 mln lekë nuk dalin dot as për të hequr kallamat”, tha Korreshi.
‘Keni turp a s’keni’- Strazimiri ngre tonet në Kuvend, Peleshi i tërheq vëmendjen! Deputeti i PD: Për mua është si medalje (VIDEO)
Deputeti demokrat Gent Strazimiri u përfshi në një debat të fortë me kryeparlamentarin Niko Peleshi në Kuvend, lidhur me rregulloren nëse ministrat duhet ose jo të jenë prezentë në sallë gjatë shqyrtimit të projektbuxhetit.
Pas debateve dhe ngritjes së tonit nga deputeti demokrat, Peleshi i tërhoqi vëmendjen Strazimirit, ndërsa ky i fundit tha se ‘është medalje për mua’.
“Kjo seancë e pafytyrësisë s’mund të vazhdojë më gjatë, kur e ke bosh të gjithën këtë. Kam pyetje shumë specifike për kryeministrin, s’më përgjigjet dot ministri i Financave. Kam pyetje për burgjet, për ministrin e Drejtësisë, dhe s’ma shpjegon dot ministri i Financave. Prandaj projektbuxheti ka nene të veçanta se si diskutohet në seancë”, tha mes të tjerash Strazimiri.
“Të paktën mos bërtisni kur s’keni të drejtë. Edhe kreu i buxhetit në asnjë nen nuk thotë… A ta le, po unë nuk funksionoj me mocion, por me rregullore. Dhe në rregullore nëse gjeni një nen që në seancë duhet