Brad Pitt rikthehet si Cliff Booth, personazhi që i siguroi çmimin Oscar për aktorin më të mirë në rol dytësor, në filmin e ri “The Further Mis-Adventures of Cliff Booth”, vazhdim i filmit “Once Upon a Time in Hollywood” (2019), me skenar të Quentin Tarantinos dhe regji të David Fincher.
Një jetë e qetë në Los Angeles
Filmi i ri, i vendosur në Los Angeles të vitit 1977, tetë vjet pas ngjarjeve të filmit paraprak, sjell sërish në qendër Cliff Booth-in, ish-kaskaderin që tashmë ka lënë pas karrierën në xhirime dhe jeton një jetë më të qetë. Ai punon si projeksionist në kinemanë New Beverly, ndërsa të ardhurat i plotëson duke përgatitur kokteje në një bar. Megjithatë, përvoja e tij në luftë dhe aftësitë luftarake e përfshijnë herë pas here në përballje me persona të rrezikshëm.
Kërcënimi që kthen historinë
Ngjarjet marrin një kthesë kur aktori televiziv Charlie, i luajtur nga Scott Caan, përballet me kërcënime nga dy vrasës me pagesë dhe kërkon ndihmën e Cliff-it për të zgjidhur situatën. Në këtë histori përfshihen edhe Elizabeth Debicki, në rolin e agjentes Karen, si dhe Peter Weller, i cili luan babanë e personazhit kryesor.
Vlerësimi i kritikut
Në recensionin e publikuar nga BBC, kritiku Nicholas Barber e përshkruan filmin si një përzierje të shkëlqimit të Hollivudit me anën e errët kriminale të Los Angelesit të viteve ’70. Ai vlerëson sharmin dhe karizmën e Brad Pitt, energjinë e Scott Caan dhe atmosferën nostalgjike të krijuar përmes makinave klasike, telefonave tradicionalë dhe kinemave historike.
Megjithatë, kritiku vëren se filmi zhvillohet me një ritëm të ngadaltë, me një histori relativisht të kufizuar dhe pak ngjarje që e çojnë përpara rrëfimin. Sipas tij, pavarësisht bashkëpunimit mes dy emrave të njohur të kinematografisë, Tarantino dhe Fincher nuk arrijnë të sjellin një vepër me ambicien artistike dhe risitë që mund të priteshin prej tyre.
Barber e cilëson filmin si një fantazi mashkullore të vjetruar, me nostalgji për Los Angelesin e viteve ’70, por me pak thellësi dhe inovacion. Recensioni i BBC-së e vlerëson atë me tri nga pesë yje.
Data e shfaqjes
“The Further Mis-Adventures of Cliff Booth” do të shfaqet në kinematë amerikane dhe britanike më 25 nëntor, ndërsa në Netflix do të jetë i disponueshëm ndërkombëtarisht nga 23 dhjetori 2026./KultPlus.com
Burimi: kultplus.com










