Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

ILD kërkon shkarkimin e gjyqtares së Kukësit për shkelje disiplinore

ILD kërkon shkarkimin e gjyqtares së Kukësit për shkelje disiplinore
Foto: ata.gov.al

TIRANË, 17 nëntor /ATSH/ Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) i ka propozuar Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) caktimin e masës disiplinore “Shkarkim nga detyra” ndaj gjyqtares A.Xh., pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës.

Hetimi disiplinor nisi pas një ankese të zëvendëskryetares së kësaj gjykate, lidhur me mungesat e gjyqtares në detyrë. Gjatë hetimit, ILD evidentoi edhe shkelje të tjera disiplinore, duke zgjeruar objektin e verifikimeve.

Shkeljet e konstatuara

Sipas raportit të ILD-së, ndaj gjyqtares janë konstatuar disa shkelje, ndër të cilat mosparaqitja e kërkesës për heqje dorë nga gjykimi në dy procedime penale, pavarësisht lidhjeve të afërta familjare me të pandehurit, si dhe shtyrja e pajustifikuar e seancave gjyqësore. Konkretisht, janë evidentuar 38 seanca të shtyra pa arsye konkrete dhe 29 të tjera për arsye familjare të paprovuara.

Një tjetër problematikë e evidentuar lidhet me vonesat në arsyetimin e vendimeve gjyqësore. Sipas ILD-së, 341 vendime kanë mbetur në pritje për arsyetim, nga të cilat 331 jashtë afatit ligjor, ndërsa gjatë periudhës janar-qershor 2026 gjyqtarja ka dorëzuar vetëm katër vendime të arsyetuara. Gjithashtu, hetimi ka konstatuar 23 ditë mungesa të pajustifikuara në detyrë gjatë muajve shkurt dhe mars 2026, si dhe shkelje të përsëritura të rregullave të sjelljes në marrëdhëniet institucionale dhe profesionale.

Vlerësimi i ILD-së dhe propozimi

Në përfundim të hetimit, ILD vlerëson se shkeljet nuk përbëjnë raste të izoluara, por karakterizohen nga përsëritja dhe kanë ndikuar në zhvillimin e proceseve gjyqësore, funksionimin e gjykatës dhe të drejtat procedurale të palëve. Duke marrë në konsideratë edhe masën disiplinore të mëparshme “Vërejtje publike”, Inspektori i Lartë i Drejtësisë çmon se plotësohen kushtet ligjore për caktimin e masës më të rëndë disiplinore, atë të “Shkarkimit nga detyra”.

/m.q/j.p/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha