Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

Jeronim De Rada, zëri që zgjoi ndërgjegjen kombëtare shqiptare

Jeronim De Rada, zëri që zgjoi ndërgjegjen kombëtare shqiptare
Foto: gazetaexpress.com

Më 19 nëntor 1814, në Makia të Kalabrisë, lindi Jeronim De Rada, një nga personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare dhe ndër figurat që hodhën themelet ideologjike e letrare të Rilindjes Kombëtare. Poet, shkrimtar, folklorist dhe publicist, ai ia kushtoi jetën ruajtjes së identitetit arbëresh dhe promovimit të çështjes shqiptare në Evropë.

Jeronim De Rada u bë një nga zërat më me ndikim të lëvizjes kombëtare shqiptare të shekullit XIX, duke e shndërruar letërsinë, gazetarinë dhe veprimtarinë kulturore në mjete për zgjimin e vetëdijes kombëtare.

Formimi dhe rinia në Napoli

Arsimimin e hershëm e kreu në Kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitër Korona, një nga qendrat më të rëndësishme arsimore dhe kulturore të arbëreshëve në Itali.

Në vitin 1834, ai shkoi në Napoli për të studiuar drejtësi, ku u përfshi në jetën intelektuale dhe në lëvizjet politike e kulturore të kohës.

Përvoja në Napoli ndikoi në formimin e bindjeve të tij për lirinë, identitetin kombëtar dhe të drejtën e popujve për vetëvendosje.

Themelues i shtypit shqiptar dhe promovues i çështjes kombëtare

Në vitin 1848, De Rada themeloi gazetën L’Albanese d’Italia (Shqiptari i Italisë), e njohur si gazeta e parë shqiptare, përmes së cilës shprehu pikëpamjet e tij politike dhe kulturore.

Gazeta u bë një platformë e rëndësishme për promovimin e identitetit shqiptar dhe për ndjekjen e zhvillimeve politike që po përfshinin Evropën.

Pas dështimit të lëvizjeve revolucionare të vitit 1848, botimi i saj u ndërpre, ndërsa De Rada u rikthye në vendlindje, ku qëndroi për një periudhë të gjatë.

Megjithatë, angazhimi i tij për kulturën dhe çështjen kombëtare shqiptare nuk u ndërpre.

Nga fillimi i viteve 1860, De Rada u afirmua gjithnjë e më shumë si një nga përfaqësuesit kryesorë të mendimit kulturor dhe kombëtar shqiptar.

Në vitin 1861 botoi traktatin Parimet e estetikës (Principii di estetica), ndërsa më pas publikoi veprat Lashtësia e kombit shqiptar (Antichità della nazione albanese, 1864) dhe Rapsodi të një poeme arbëreshe (Rapsodie d’un poema albanese, 1866).

Këto botime patën rëndësi të veçantë në prezantimin e trashëgimisë historike, gjuhësore dhe folklorike shqiptare përpara publikut evropian.

Përmes krijimtarisë dhe studimeve të tij, De Rada synonte të dëshmonte lashtësinë dhe veçantinë e kombit shqiptar, në një periudhë kur çështja e identitetit dhe e të drejtave kombëtare po merrte gjithnjë e më shumë rëndësi politike.

Mbështetës i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Veprimtaria e De Radës nuk u kufizua vetëm në letërsi dhe studime kulturore.

Ai mbajti korrespondencë të vazhdueshme me patriotë shqiptarë dhe personalitete intelektuale evropiane, duke ndjekur nga afër zhvillimet politike në trojet shqiptare.

Në vitin 1878, De Rada mbështeti Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe kundërshtoi përpjekjet për copëtimin territorial të viseve shqiptare.

Përmes shkrimeve dhe kontakteve të tij, ai kontribuoi në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare dhe në forcimin e lidhjeve ndërmjet komuniteteve arbëreshe dhe shqiptarëve në Ballkan.

Një tjetër kontribut i rëndësishëm ishte botimi i revistës Flamuri i Arbërit, të cilën e nisi në vitin 1883.

Revista u shndërrua në një tribunë të rëndësishme për mendimin politik, kulturor dhe letrar shqiptar, duke promovuar gjuhën, historinë dhe aspiratat kombëtare.

Një trashëgimi që i mbijetoi kohës

Jeronim De Rada u nda nga jeta më 28 shkurt 1903, në Kalabri, në moshën 88-vjeçare, pa e përjetuar shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912.

Megjithatë, veprimtaria e tij kishte ndikuar në formimin e mendimit kombëtar dhe në krijimin e një tradite letrare që do të frymëzonte brezat e mëvonshëm të rilindësve shqiptarë.

Ai mbetet një nga figurat themelore të letërsisë arbëreshe dhe një personalitet i rëndësishëm i historisë së kulturës shqiptare.

Në arkivin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare ruhet edhe një fotografi e bustit të De Radës, realizuar në vitin 1963 dhe dhuruar komunitetit arbëresh të Kozencës.

Më shumë se një shekull pas vdekjes, Jeronim De Rada vazhdon të kujtohet si një nga personalitetet që e kthyen fjalën e shkruar në instrument të ndërgjegjësimit kombëtar, duke ndërtuar ura të qëndrueshme ndërmjet arbëreshëve të Italisë dhe atdheut të të parëve të tyre. /GazetaExpress/

Burimi: www.gazetaexpress.com

Të fundit Të gjitha