Më 19 nëntor 1814, në Makia të Kalabrisë, lindi Jeronim de Rada.
Formimi dhe veprimtaria e hershme
Shkrimtari, poeti dhe folkloristi De Rada u bë ideolog dhe frymëzues i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ai u shkollua në kolegjin e njohur të Shën Adrianit në Shën Mitër Korona. Në vitin 1834 shkoi për të studiuar drejtësi në Napoli, ku mori pjesë në lëvizjen politike dhe kulturore të kohës. Në vitin 1848 nxori gazetën e parë shqiptare, “L’Albanese d’Italia”, në të cilën shprehu pikëpamjet e tij për ngjarjet e kohës. Pas dështimit të revolucionit në vitin 1848, gazeta u mbyll dhe ai u kthye në fshatin e lindjes, ku qëndroi deri në fillim të viteve ’60 të shekullit XIX.
Veprat dhe roli në Rilindje
Që nga viti 1861, De Rada filloi të dallohej si një nga figurat më të dukshme të Rilindjes Kombëtare. Pas traktatit “Parimet e estetikës” (Principii di estetica, 1861), botoi veprat “Lashtësia e kombit shqiptar” (“Antichità della nazione albanese”, 1864) dhe “Rapsodi të një poeme arbëreshe” (“Rapsodie d’un poema albanese”, 1866), që luajtën një rol të rëndësishëm në propagandimin e çështjes kombëtare shqiptare.
Korrespondenca dhe qëndrimi politik
Jeronim De Rada mbajti korrespondencë me patriotë shqiptarë dhe me personalitete kulturore evropiane, miq të Shqipërisë, dhe ndoqi me interes ngjarjet në Shqipëri. Në vitin 1878 përkrahu Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe ngriti zërin kundër copëtimit territorial të Shqipërisë. Një kontribut të çmuar për çështjen kombëtare dha edhe me revistën “Flamuri Arbrit”, që botoi në vitet 1883–1885.
Jeronim De Rada u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare, në vitin 1903, në Kalabri.
Në arkivin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare ruhet një fotografi e bustit të De Radës (1963), i cili iu dhurua komunitetit arbëresh të Kozencës. /atsh /KultPlus.com
Burimi: kultplus.com









