Nora Tushi, e cila aktualisht është një nga banoret e “Big Brother VIP Kosova 5”, ka një eksperiencë televizive edhe jashtë Kosovës, ku më parë kishte provuar të ndërtonte karrierën e saj në muzikë.
Para se të bëhej pjesë e spektaklit të njohur në Kosovë, ajo kishte konkurruar në dy prej formateve më të njohura muzikore në Gjermani, “The Voice of Germany” dhe “Deutschland sucht den Superstar” (DSDS).
Së fundmi, në rrjetet sociale kanë filluar të qarkullojnë disa video nga paraqitjet e saj në këto gara, duke e sjellë përsëri në vëmendje rrugëtimin muzikor të Norës përpara se të bëhej pjesë e BBVK-së.
Debuti në “The Voice of Germany”
Përvoja e saj e parë televizive daton në vitin 2019, kur, në moshën 19-vjeçare, mori pjesë në sezonin e nëntë të “The Voice of Germany”. Në fazën e audicioneve të fshehta, Nora interpretoi këngën “Without Me” të këngëtares Halsey, por performanca e saj nuk arriti të bindte asnjërin prej trajnerëve që të kthente karriken.
Megjithatë, kjo përvojë nuk e ndaloi atë së ndjekuri ëndrrën për muzikën. Pesë vjet më vonë, në vitin 2024, Nora vendosi të provonte sërish fatin, këtë herë në spektaklin tjetër të njohur gjerman, “Deutschland sucht den Superstar”.
Rrugëtimi në DSDS
Gjatë audicionit, ajo interpretoi dy këngë, “Jealous” të Labrinth dhe “Flowers” të Miley Cyrus, duke arritur të siguronte një vend për të vazhduar garën. Në fazat e tjera të spektaklit, ajo prezantoi edhe interpretimet e këngëve “Bruises” dhe “Take Me to Church”.
Këtë herë, rrugëtimi i saj ishte më i suksesshëm, pasi arriti të renditej në mesin e 20 konkurrentëve më të mirë të garës, duke siguruar kështu pjesëmarrjen në fazën e spektaklit që u zhvillua në Kretë të Greqisë.
Megjithatë, aventura e saj në DSDS përfundoi më 30 tetor 2024, kur Nora u eliminua nga gara.
Një tjetër detaj interesant nga kjo përvojë ishte edhe prania e reperes shqiptare Loredana në jurinë e spektaklit. Kjo e fundit ishte një prej artisteve që Nora e kishte përmendur si emër që e admironte.
Rikthimi para kamerave
Tashmë, dy vjet pas paraqitjes së saj në DSDS, Nora është rikthyer para kamerave, por në një format krejtësisht tjetër. Këtë herë, ajo po tërheq vëmendjen e publikut përmes dinamikave dhe qëndrimit të saj në shtëpinë e “Big Brother VIP Kosova 5”.
Ndërkohë, videot e shpërndara në TikTok po u japin shikuesve mundësinë të zbulojnë edhe një pjesë më pak të njohur të së kaluarës së saj, atë të një vajze që kishte tentuar të depërtonte në skenën muzikore gjermane.
Burimi: www.kosovarja-ks.com









