Bashkimi zgjedhor i opozitës
Lufta që Erjon Veliaj i shpalli nga burgu kryeministrit Edi Rama, për Sali Berishën, shihet si një zhvillim që mund t’i bashkojë forcat opozitare. Synimi është dalja me një kandidat të përbashkët në zgjedhjet vendore të 9 majit, jo vetëm në Bashkinë e Tiranës, por në të gjithë vendin. Veliaj kërkon bashkimin e të gjitha grupimeve, përfshirë edhe ato në protestë, pavarësisht se, sipas tij, njerëzit e tij nga radhët e të rinjve janë refuzuar haptazi.
Përplasjen e hapur mes Erjon Veliajt dhe kryeministrit Edi Rama, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, përpiqet ta përdorë politikisht në favor të tij.
Me afrimin e garës elektorale të 9 majit për kryebashkiakë, Berisha është larguar nga deklarata se me Ramën kryeministër nuk ka zgjedhje.
Berisha shpreson në një bashkim të mundshëm të të gjitha forcave opozitare, duke përfshirë edhe grupimet në protestë, për të dalë me një kandidat të vetëm për Tiranën dhe bashkitë e tjera të vendit.
“PD dhe partitë e tjera opozitare mendoj se kanë përgjegjësinë në betejën kundër kësaj të keqeje të madhe që të bashkohen në zgjedhjet vendore, me kandidatë të përbashkët në një koalicion të gjerë në gjithë Shqipërinë, duke përfshirë edhe Tiranën”, tha Berisha.
Sipas tij, i njëjti bashkim duhet bërë edhe në protestë.
Berisha dhe protesta e të rinjve
“Bashkimi i të gjitha forcave opozitare, qoftë në zgjedhje, qoftë në protesta, është rruga e vetme për t’u përballur me narkodiktatorët. Do bëjmë gjithçka për të bashkëpunuar me të gjithë pa përjashtim: me të gjitha forcat politike, me të gjitha shoqatat, me të gjithë faktorët që e shohin Edi Ramën si të keqen më të madhe të këtij vendi, për largimin e tij, qoftë në fushën elektorale, qoftë në fushën e protestave”, vazhdoi ai.
Nga protestat, Berisha e mori përgjigjen të shtunën e kaluar, kur studentët refuzuan tentativën e tij për t’i bashkuar njerëzit e tij në tubimin e të rinjve pranë Ministrisë së Arsimit. Megjithatë, kreu i PD-së po tenton të futet mes tyre edhe këtë fundjavë.
“Ftoj demokratët dhe demokratet të shtunën, si të shtunën që kaloi, kur na mbështetën fuqishëm, të bashkohemi.
Bashkimi i të gjitha forcave dhe përpjekjeve kundër kësaj të keqeje është rruga më e sigurt për largimin e saj sa më shpejt”, tha Berisha.
Pretendimet e Erjon Veliajt se i është kërkuar të delegojë drejtimin e Bashkisë së Tiranës, Berisha i komentoi nga selia blu, duke ngatërruar Arbër Hajdarin me emrin e dhëndrrit të tij, të bashkëpandehur në SPAK për aferën “Partizani”.
Burimi: shqiptarja.com










