Dënimi ndaj Sylejmon Jusufit
Sylejmon Jusufi është gjetur fajtor dhe i është caktuar dënimi me 4 (katër) vjet e 6 (gjashtë) muaj burgim, si dhe gjobë në shumën prej tetë mijë (8000) eurosh. Sipas njoftimit për mediet, dënimi do të ekzekutohet pasi aktgjykimi të bëhet i prerë.
Dënimi ka të bëjë me bashkëkryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, e parashikuar nga neni 267, paragrafi 2, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Për pagesën e gjobës, i akuzuari ka afat 30 ditë nga plotfuqishmëria e aktgjykimit, në përputhje me nenin 43, paragrafi 2 të KPRK-së. Nëse ai nuk dëshiron ose nuk është në gjendje ta paguajë, Gjykata do ta zëvendësojë gjobën me burgim, sipas nenit 43, paragrafi 3 të KPRK-së, duke llogaritur një (1) ditë burg për çdo 20 euro gjobë.
Pagesat, kërkesa civile dhe ankesa
Jusufi duhet të paguajë gjithashtu dyqind (200) euro për paushallin gjyqësor dhe njëqind (100) euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit. Për këto pagesa është përcaktuar afat 15 ditë, por jo më shumë se tre muaj nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.
Për realizimin e kërkesës pasurore-juridike, pala e dëmtuar është udhëzuar t’i drejtohet një procedure të rregullt civile.
Kundër aktgjykimit, palët mund të paraqesin ankesë brenda 30 ditësh në Gjykatën e Apelit të Kosovës, nëpërmjet Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Burimi: www.albeu.com










