Janë hapur qendrat e votimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku këtë të martë, më 3 nëntor, mbahen zgjedhjet e mesmandatit. Votimi ka nisur në orët e para të mëngjesit, fillimisht në Vermont, dhe është shtrirë gradualisht në shtetet e tjera amerikane.
Sipas CNN, deri në orën 14:20 me orën shqiptare, votimi kishte nisur në të paktën 27 shtete. Rreth 250 milionë amerikanë kanë të drejtë vote, ndërsa mbi 57 milionë e kanë hedhur votën e tyre paraprakisht, sipas të dhënave të Universitetit të Floridës.
Demokratët hyjnë në zgjedhje me një avantazh prej 9 pikësh në sondazhet kombëtare për Kongresin, sipas CNN.
Çfarë po votojnë amerikanët dhe pse kanë rëndësi këto zgjedhje?
Amerikanët nuk po votojnë për presidentin, pasi Donald Trump është në mandatin e tij të dytë. Ata po zgjedhin anëtarët e Kongresit, institucionit që përbëhet nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati.
Në këto zgjedhje do të përcaktohen të 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve, 35 vende në Senat dhe guvernatorët e 36 shteteve.
Aktualisht, republikanët kontrollojnë të dyja dhomat e Kongresit. Nëse demokratët fitojnë shumicën në njërën ose në të dyja dhomat, ata do të kenë më shumë mundësi të pengojnë ose të ndryshojnë nismat e presidentit Trump që kërkojnë miratimin e Kongresit.
Demokratëve u duhen edhe tri vende për të marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe katër vende në Senat. Sipas përmbledhjes së sondazheve të CNN, ata hyjnë në ditën e zgjedhjeve me një avantazh prej 9 pikësh në sondazhet kombëtare për Kongresin.
Vëmendja është përqendruar te disa shtete ku garat janë veçanërisht të rëndësishme për kontrollin e Senatit, mes tyre Alaska, Iowa, Maine, Ohio, Teksasi, Michigani, Xhorxhia dhe Kansasi.
Ekonomia, rritja e çmimeve, emigracioni dhe politika e jashtme kanë qenë ndër temat kryesore të fushatës. Veçanërisht çmimet e karburanteve janë kthyer në shqetësim për amerikanët pas nisjes së luftës me Iranin në shkurt.
Përpara zgjedhjeve, Trump u kërkoi amerikanëve t’u jepnin republikanëve të njëjtën mbështetje që i dha atij mandatin e dytë presidencial.
“Këto janë zgjedhjet e mesit të mandatit më të rëndësishme, besoj, gjatë jetës sonë. Për një arsye apo një tjetër, partia e presidentit në detyrë nuk i fiton zakonisht zgjedhjet e mesmandatit, por ne bëmë një përpjekje shumë të fortë”, deklaroi Trump.
Ndërkohë, procesi zgjedhor po monitorohet nga rreth 1 mijë monitorues federalë në të 50 shtetet. Në disa zona janë raportuar edhe probleme, përfshirë mosfunksionimin e skanerëve të votave në qarkun Westchester të Nju Jorkut dhe zhvendosjen e qendrave të votimit në Florida për shkak të përmbytjeve.
Kur do të mësohen rezultatet?
Qendrat e para të votimit pritet të mbyllen në orën 00:00 të së mërkurës, 4 nëntor, sipas orës shqiptare. Për shkak të zonave të ndryshme kohore në SHBA, qendrat e tjera do të mbyllen gradualisht gjatë natës dhe orëve të mëngjesit në Shqipëri.
Numërimi do të nisë pas mbylljes së qendrave përkatëse të votimit. Rezultatet do të publikohen gradualisht, ndërsa në garat e ngushta mund të duhet më shumë kohë për të përcaktuar fituesit.
Burimi: shqiptarja.com










