Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Rama nga Brukseli: nuk dorëheqet, por hap dialogun me protestuesit

Rama nga Brukseli: nuk dorëheqet, por hap dialogun me protestuesit
Foto: lajmifundit.al

Kreu i qeverisë, Edi Rama, duke folur në Euronews Enlargement Summit, një forum i nivelit të lartë për zgjerimin e Bashkimit Europian dhe perspektivën europiane të vendeve kandidate, tha se Shqipëria ka ende probleme, por se qeveria po punon për t’i zgjidhur.

“Kemi probleme dhe po luftojmë që t’i zgjidhim, dhe procesi po na ndihmon ta bëjmë këtë me mjete që nuk do t’i kishim. Nuk ka asnjëherë diçka thelbësisht ndryshe me BE-në; është një martesë ku çdo gjë është e parashikueshme. Kur bëhet fjalë për të marrë më shumë, është e lehtë ta parashikosh; kur ndodh të marrësh më pak, ndonjëherë nuk parashikohet.

Ne kemi punuar shumë, kemi kaluar edhe pengesat e brendshme dhe, pavarësisht tyre, jemi siguruar që ekipi ynë të jetë në kohë në Bruksel, me këta burokratë që janë alienë në botën reale, që dinë kaq mirë të të torturojnë dhe të nxjerrin më të mirën. Kështu që zgjedh: nëse i reziston torturës, fiton; nëse jo, shkon për dreq. E kam fjalën në ndjesi”, u shpreh Rama.

Protestat dhe bilanci i të lënduarve

Rama foli më pas për protestat që kanë përfshirë vendin muajt e fundit, me “Flamingot” në fund të majit dhe me studentët më 13 tetor. Ai u ndal sërish te bilanci i policëve dhe protestuesve të lënduar, duke përsëritur se, sipas tij, ka pasur më shumë të lënduar nga radhët e policisë sesa nga tubuesit.

“Në raport me procesin e zgjerimit, për fat të mirë dhe të keq, kjo është më e ndërlikuar dhe do të dua një ditë tjetër për ta shpjeguar gjithçka, por ajo që mund të them është se Shqipëria është në një fazë tjetër. Vjen një moment kur të duhet të përballesh jo më vetëm me nevojat, por me pritshmëri të larta. E kam përjetuar personalisht dhe mund ta vlerësoj si një forcë për të krijuar një përballje krejtësisht skizofrenike me realitetin. Kishim protestues të dhunshëm dhe, ndryshe nga çdo vend tjetër që është përballur me protesta, kishim dyfish më shumë policë të dëmtuar krahasuar me protestuesit. Por në mediat sociale kjo shfaqej ndryshe”, tha Rama.

Moderatorja e debatit u ndal pas komentit të Ramës dhe tha se protestuesit mund të argumentojnë se situata nuk është e njëjtë, pasi policia është e armatosur, ndërsa ata jo.

Rama iu përgjigj kësaj pyetjeje me tone humori dhe ironie. “Po më provokon apo e ke seriozisht? Po më provon që të kemi debat mbi interesat?”, i tha ai gazetares, e cila u përgjigj se “jo, po të jap vetëm një shembull…”.

Ndryshimi, bota e re dhe dialogu

“Ditën që do të mendoj se unë nuk kam nevojë të ndryshoj, do ta lë këtë punë. Unë dua të ndryshoj. Jeta ime është në ndryshim në shumë aspekte, edhe në martesë. Nuk do t’ju mërzis më me fakte për atë që po ndryshojmë që kur Flamingot zbritën në shesh, dhe për atë që është risi në veprimin e qeverisë, mes të tjerash, duke përdorur AI.

Ajo që po tentoj të them është se kjo nuk ka të bëjë vetëm me qeverinë dhe Shqipërinë, por me botën ku jetojmë, një realitet që do të bëhet gjithnjë e më i vështirë për Europën dhe demokracinë. Ajo që ka nevojë për mbrojtje është mendja e të rinjve dhe fëmijëve, që sot janë krejt të pambrojtur, dhe brenda mendjes së të cilëve mund të lindë Europa e së nesërmes, e drejtuar nga një lloj krejt tjetër njerëzish.

Nuk po relativizoj atë që thonë protestuesit; po them thjesht se po jetojmë në përplasje realitetesh dhe se kjo sapo ka filluar.

Unë jam një njeri që gjithmonë kërkoj të përballem me njerëzit, të sfidoj dhe të sfidohem, por nuk është e lehtë të thuash: ‘Po protestoj, por për çfarë? Eja, diskutojmë’. Përgjigjja është se duhet të ikësh, nuk dialogojmë. Më falni, por këtë punë nuk ma dhatë ju, por populli shqiptar.

Nuk flasim, nuk ka dialog, por thelbi i çështjes është se, ndryshe nga vendet e tjera, kjo fazë e re e dhunës karakterizohet nga një numër i vogël njerëzish, jo nga populli shqiptar. Janë ata njerëz që janë në rrugë dhe mendojnë se duhet të ikë”, tha Rama, duke nënkuptuar edhe një herë se nuk do të japë dorëheqjen dhe se mbetet i hapur për dialog me protestuesit.

Burimi: lajmifundit.al

Të fundit Të gjitha