Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka deklaruar se Tirana është bërë e pajetueshme, duke theksuar se qyteti është i pamenaxhuar prej kohësh.
Deklaratat e Tabakut për gjendjen e Tiranës
Tabaku i bëri këto komente në emisionin “Sot Live në Shqipëri”, me gazetarin Nertil Agalliu në Report Tv. Ajo tha se Tirana është kthyer në objekt të konfliktit politik mes kryebashkiakut Veliaj dhe kryeministrit Rama.
“Unë u përpoqa shumë të isha në kohë sot për këtë emision, por Tirana është bërë e pajetueshme dhe e pamenaxhuar prej kohësh, prandaj është shumë e vështirë të programosh që të jesh këtu me saktësi. Sot në mëngjes bëra një koment. Për mua nuk ka rëndësi fare lufta e tyre e brendshme, sepse të dy janë larguar nga detyra. Për mua ka rëndësi që sot Tirana nuk ka menaxhim të mbetjeve dhe nuk ka ujë 24 orë në ditë. Qyteti është kthyer në një plaçkë politike. Njëri e kërkon për interesat e veta dhe e përdor si persekutim politik, ndërsa tjetri e kërkon për interesat e veta dhe e përdor për kapitalin ekonomik që prodhon Tirana”, tha ndër të tjera Tabaku.
Qytetarët në mes të konfliktit Rama–Veliaj
Sipas Tabakut, në mes asaj që ajo e cilësoi si luftë Rama–Veliaj ndodhen qytetarët, të cilët, sipas saj, po i vuajnë pasojat.
Tabaku tha se as Veliaj e as Rama nuk po mendojnë për Tiranën, por për interesat e tyre. Sipas saj, Veliaj është personi që, para arrestimit, kryente sulme dhe kërcënime ndaj kundërshtarëve politikë në emër të kryeministrit Edi Rama.
“Fatkeqësia është që në mes të kësaj lufte ndodhen qytetarët. Dhe asnjëri nga të dy, as Veliaj e as Rama, nuk e kanë mendjen te qytetarët. Edhe kur ishte jashtë qelisë, e njëjta situatë ekzistonte. Tani po e përdor për interesat e veta politike, ndërkohë që tjetri e do jashtë për lejet e ndërtimit. Mos mendoni se ka diçka parimore në luftën e hapur mes tyre. Nuk vlen fare që unë ta diskutoj. Veliaj është personi që deri dje, në emër të Ramës, i bënte të gjitha këto sulme dhe kërcënime, e sot po i vuan në kurriz. Sistemi që ka përqendruar gjithë potencialin ekonomik dhe vendimmarrjen në duart e një njeriu, sot po u bën qytetarët e Tiranës të vuajnë”, shtoi Tabaku.
Për vizitën e ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, në burgun e Fierit për t’u takuar me Veliajn, Tabaku tha se ajo ngjan me mesazhet që organizatat kriminale ua dërgojnë njëra-tjetrës.
Sipas Tabakut, Rama dhe Veliaj janë arsyet pse qytetarët janë ngritur sot në protestë. Ajo tha se kryebashkiaku ka qenë një nga lojtarët kryesorë në ngritjen e këtij sistemi politik në Shqipëri dhe një nga kopjet kryesore të Ramës.
“Këta veprojnë si një organizatë kriminale, i dërgojnë mesazhe njëri-tjetrit, i kërcënojnë njëri-tjetrin. Fokusi për mua është te qytetarët e Tiranës. Asnjëri prej tyre nuk mund t’i ofrojë gjë as Tiranës, as Shqipërisë. Arsyeja pse njerëzit po protestojnë është edhe sistemi i ngritur nga Rama, ku Veliaj ka qenë një nga lojtarët kryesorë dhe një nga kopjet kryesore të Ramës”, përfundoi Tabaku.
Burimi: shqiptarja.com










