Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Ben Andoni: Pushteti u shkon atyre që nuk e meritojnë

Kalimi i viteve ’90 do t’i bënte njerëzit të mendonin se gjërat do të ndryshonin në thelb. Ndër shumë çështje të tjera, sistemi demokratik do të vendoste që tash e tutje kutitë e votimit të përcaktonin postet: kush e meritonte të drejtonte, përgjegjësinë e individit, moskeqpërdorimin e pushtetit dhe mbi të gjitha guximin për t’u dorëhequr. Kur kujton vajtimin e njerëzve të PD-së, ditën që Berisha pranoi humbjen dhe dha dorëheqjen (e përkohshme) në 2013, tashmë të duket si një moment “biblik” në kohët moderne. Pak kohë më vonë, një pjesë e tyre ishin të parët që e rrëzuan njeriun që do të rikthehej njësoj në krye. Ardhja e Ramës në politikë, e njohur për shkrimet publicistike dhe shprehjen publike të parimeve të demokracisë në shkallë më të lartë, premtonte se më në fund gjërat po shkonin mirë me shtetin e të drejtës. Në mandatin e katërt, Rama 2026 mbetet në hije të njeriut të lirive të vitit 2013 dhe përsëritje e njeriut-pushtet që Shqipërisë nuk i ndahet në ekzistencën e vet. Pushtet absolut. Parti Socialiste e vendosur tashmë në rresht dhe ndonjëherë me disa vetëkritika të zbehta. Pushtet ekzekutiv me fuqi të mëdha dhe tejet i larguar nga njerëzit. Aspak përgjegjësi. Dhe, paradoksalisht, fitore masive në zgjedhje!!! Ky është me pak fjalë i gjithë pasqyrimi i tij dhe i një pushteti që kërkon tashmë dialog nga sipër pamundësisë.

Prova e demokracisë në kohën tonë

Në kohën tonë (për ironi të ngjarjeve në Teatrin Eksperimental po luhet “1984”) po vihen në provë shumë nga këshillat e dikurshme për mosprishjen e demokracisë; po identifikohen në terren postulate të njerëzve si Orwell; ashtu si po provohet që demokracia është dhe do të mbetet procedurë e rëndë për vendet ballkanike. Mes tyre është edhe Shqipëria e Protestës së Studentëve të vitit 2026. Askush nuk e lëshon pushtetin, ose më të sintetizuar, siç e shprehte Orwell: “E dimë se askush nuk e merr pushtetin me qëllimin për ta lëshuar atë. Pushteti nuk është mjet; ai është qëllim”, shkruante ai, me të vërtetën e hidhur se ndryshe nga idetë për një shoqëri të drejtë, sot regjimet (veshi çfarëdolloj forme) kërkojnë kontroll absolut thjesht për hir të vetë pushtetit. Sot, në rastin shqiptar, kosovar, deri dje serb (mbetet të provohet në muajt në vazhdim me Listën Studentore) qëllimi kryesor mbetet ruajtja e hierarkisë, krijuar nga interesat dhe lidhja me pushtetin, por jo qëllimi primar për begatinë e njerëzve dhe një jetë më të drejtë. Këtë shikon tashmë me Protestën e Studentëve në Tiranë, me masat e ashpra të Ramës dhe me përpjekjen e PD-së për t’iu kundërvënë dhe drejtuar protestën.

Pak larg nga realiteti ynë, humoristi britanik Douglas Adams (ardhur dhe në shqip) e thoshte sipas mënyrës së tij, një nga shqetësimet e kësaj kohe: “Problemi kryesor — një nga problemet kryesore, sepse ka disa të tillë — një nga problemet kryesore me qeverisjen e njerëzve është se kush e merr përsipër ta bëjë këtë; ose më saktë, kush ia del t’i bindë njerëzit që ta lejojnë të ushtrojë pushtet mbi ta.

Për ta saktësuar qartë përmbledhjen: është fakt i njohur se ata që dëshirojnë të sundojnë mbi të tjerët janë, ipso facto (në thelb), njerëzit më të papërshtatshëm për ta bërë këtë. Ndaj: kushdo që duket si i aftë të bëhet President, nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë ta ushtrojë atë detyrë”. Kuptohet përfundimi i Adams shkon deri në absurd, pasi ishte humorist, por një gjë është e sigurt se ai ose ajo që synojnë pushtetin e duan për të mos e lënë më të bjerë në duar të të tjerëve, derisa largohen me mundin (kështu janë bërë zgjedhjet sot) e votës ose me detyrimin. Këtë sheh sot në ngutin e madh për t’ua marrë dhe fashitur protestën “Flamingove”. E për fat të keq, gjërat nuk arritën të bëheshin kurrë, ashtu si mendonim në fillimvitet ’90.

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha